Filmi kushtuar Lazaratit "pushton" kinematë italiane

7 October 2022, 17:17Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Filmi kushtuar Lazaratit "pushton" kinematë italiane
Filmi "The Brave"

Prej 6 Tetorit ka filluar të shfaqet në kinematë italiane filmi i titulluar "The Brave", kushtuar Lazaratit, dikur kryeqendra shqiptare e drogës.

Filmi po shfaqet në sallat e UCI Cinemas, në qytetet më të mëdha italiane. "The Brave" është frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit dhe ka plot referenca të situatave që kanë ndodhur në atë fshat.

Filmi tregon luftën e një skuadre prej 4 policësh të RENEAS për t'i dhënë fund mbretërimit të një bosi të drogës në fshatrat e Shqipërisë së Jugut. Filmi është një realizim i fuqishëm, plot me skena aksion, shpërthime armësh të kalibrave të ndryshëm, intrigë policeske por dhe bërthama romance.

Regjisori William Kaufman dhe skenaristi i filmit Marco Balsamo janë amerikanë, dhe “para se të ndërtonin ngjarjen kanë shëtitur Shqipërinë dhe kanë vizituar madje edhe Lazaratin”, sipas fjalëve të producentit Mark Crawford.

William Kaufman njihet për një seri filmash aksion ku ka patur edhe aktorë të mëdhenj amerikanë si fituesi i çmimit OSCAR, Cuba Gooding Jr. apo i famshmi Dolf Lundgreen.

Ndërsa, Armand Assante dhe Louis Mandylor, janë 2 nga aktorët e Hollivudit që janë bashkuar me 3 nga aktorët më të mëdhenj rusë, Ravshana Kurkova, Yuriu Kutsenko dhe Ivan Makarevich, si dhe aktorët e njohur shqiptarë, Bes Kallaku, Vin Bejleri dhe Mensur Safqiu. Në role më të vogla luajnë dhe Salsano Rrapi e Kleofina Pnishi.



Video