President i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se ka paralajmërime që Qeveria e Kosovës do ta ndalojë përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin, në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Vuçiç e bëri deklaratën gjatë fjalës së tij si pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës.
”Ne morëm një njoftim nga Prishtina se janë të gatshëm të konsiderojnë anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë qendrore, ndalimin e përdorimit të dinarëve dhe bastisjen e Postanska Banka, njëra nga dy bankat që operojnë me dinarë dhe sipas sistemit serb”, ka deklaruar Vuçiç.
Ai ka thënë se kjo e vë në pikëpyetje normalizimin e marrëdhënieve ndërsa ka theksuar se do të ngrejë si çështje gjatë takimit me Ndihmës Sekretarin O’Brien.