Veshi kostum për t’i përgjigjur kritikave të Shtëpisë së Bardhë? Stilisti i Zelenskyt zbulon të vërtetën

19 August 2025, 17:58Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Veshi kostum për t’i përgjigjur kritikave të
Volodymyr Zelensky

 Volodymyr Zelensky nuk u shfaq më me veshjen e tij të zakonshme ushtarake në samitin që u mbajt një ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë, por me një kostum të errët.

Dhe kjo sipas stilistit të tij nuk ndodhi për shkak të kritikave që mori gjatë takimit famëkeq të 28 shkurtit, kur presidentit ukrainas iu kontestua edhe mënyra e veshjes.

“Ne kishim filluar të punonim për garderobën dhe stilin e ri të presidentit që në janar. Pas asaj që ndodhi në shkurt, duke njohur parimet e presidentit tonë, mendova se nuk do të donte të ndryshonte stilin e tij. Por jo, ai vendosi që duhej të vazhdonim,” shpjegoi stilisti Viktor Anisimov, i cili kujdeset për veshjet e Zelensky-t.

Në një intervistë për “Wall Street Journal” një ditë pas samitit në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilit pamja e re u prit me shumë vlerësime, Anisimov tha: “Nuk më shqetësonte aq kostumi, sa rezultatet e takimit për Ukrainën.”

Që prej fillimit të pushtimit rus, presidenti ukrainas ka shmangur rregullisht veshjen formale, duke preferuar veshje me stil ushtarak si një gjest solidariteti me qytetarët e tij, pasi kishte deklaruar: “Do të vesh një kostum pas përfundimit të luftës.”

Në shkurt, zgjedhja e veshjes së presidentit ukrainas u kritikua ashpër gjatë takimit me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë. Gazetari pro-Trump, Brian Glenn, komentoi asokohe: “Pse nuk vesh një kostum? Ju drejtoni një vend dhe refuzoni të vishni një kostum. A keni ndonjë kostum? Shumë amerikanë e kanë problem me faktin që ju nuk respektoni dinjitetin e këtij posti.”

Dje (18 gusht), Zelensky u rikthye në Zyrën Ovale për një tjetër samit, dhe sipas gazetarit të “Axios”, Barak Ravid, Shtëpia e Bardhë e kishte pyetur paraprakisht stafin e presidentit ukrainas nëse ai do të paraqitej me kostum dhe kravatë.

Presidenti u paraqit me një kostum të errët, duke marrë komplimente edhe nga Trump. Gazetari Glenn reagoi përsëri, duke komentuar: “Duket mirë.” Presidenti amerikan shtoi: “Edhe unë thashë të njëjtën gjë.”

Stilisti ukrainas rrëfeu për “Womenswear Daily” se të premten kishte takuar liderin ukrainas në Kiev për të diskutuar rreth veshjes për Ditën e Pavarësisë. Anisimov i prezantoi atij një xhaketë me stil ushtarak francez, të punuar me pëlhurë ushtarake dhe me katër xhepa të jashtëm, të realizuar në ngjyrë blu dhe të zezë për festën vjetore të Ukrainës, që bie këtë të diel.

Mesa duket, të premten, Zelensky kishte vendosur që ky kostum do të ishte perfekt për vizitën e tij të ardhshme në Shtëpinë e Bardhë, një vizitë që ende nuk ishte konfirmuar në atë moment./La Repubblica


Video