Rusia duket se ka filluar ofensivën e re të parashikuar në lindje të Ukrainës, tha të hënën zyrtari më i lartë i sigurisë në Ukrainë.
"Këtë mëngjes, përgjatë pothuajse të gjithë vijës së frontit të rajoneve Donetsk, Luhansk dhe Kharkiv, pushtuesit u përpoqën të thyejnë mbrojtjen tonë", tha Sekretari i Këshillit të Sigurisë Oleksiy Danilov gjatë disa komenteve televizive.
“Ata filluan përpjekjen e tyre për të nisur fazën aktive këtë mëngjes”, tha ai.
Ndërsa një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha të hënën se beteja për Mariupolin vazhdon, ndërsa ka të dhëna se forcat ruse kishte dërguar përforcime gjatë ditëve të fundit.
Sipas zyrtarit amerikan, që foli për gazetarët në kushte anonimiteti, qyteti mbetet i kërcënuar nga ajri, si nga sulmet me raketa ashtu edhe nga bombat që hidhen nga ajri, sikurse edhe sulmet me artileri.
Zyrtari tha se aktualisht kishte rreth 76 grupe taktike të batalioneve ruse në Ukrainën jugore dhe lindore, një rritje prej rreth 11 të tillash, në ditët e fundit.
Po kështu edhe autoritetet ukrainase thonë se qyteti strategjik i Mariupolit ende nuk ka rënë nën kontrollin e plotë të Rusisë. Një numër i vogël ushtarësh vazhdojnë të rezistojnë. Forcat e Ukiranës refuzuan ultimatumin rus për të dorëzuar armët. Por, ekspertët thonë se është çështje kohe para se qyteti port të pushtohet plotësisht nga forcat ruse. Para fillimit të luftimeve në Mariupol jetonin mbi 440 mijë banorë, ndërsa tani në qytetin e shkatërruar ndodhen rreth 120 mijë banorë.
Forcat ukrainase në qytetin e rrethuar të Mariupolit i rezistuan ultimatumit të së dielës nga Rusia për të dorëzuar armët.
Moska tha se forcat e saj kanë kapur pothuajse tërë qytetin, gjë që do të shënonte fitoren më të madhe strategjike të Rusisë në luftën gati dy-mujore.