Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot pasdite se është arrestuar oligarku Viktor Medvedchuk, aleat me Vladimir Putin.
Medvedchuk është kapur nga Shërbimi Informativ i Ukrainës.
Fotot e tij në pranga dhe me veshje ushtarake u shpërndanë në rrjetet sociale.

Medvedchuk është lideri i partisë për të madhe opozitare në Ukrainë, “Platforma për Jetën”. Në mars, partia e tij ishte një prej forcave politike të pezulluara nga Zelensky, për shkak të lidhjeve me Rusinë.
Autoritetet ukrainase e kishin vendosur në arrest shtëpiak oligarkun, por ai ishte arratisur tri ditë pas nisjes së pushtimit të vendit nga Rusia.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se bisedimet e paqes me Ukrainën kishin hyrë në “një rrugë pa krye”.
“Tani, kërkesat e sigurisë janë një gjë dhe çështjet e rregullimit të marrëdhënieve mbi Krimenë, Sevastopolin dhe Donbasin janë nxjerrë jashtë fushëveprimit të këtyre marrëveshjeve. Kjo do të thotë, ne jemi kthyer sërish në një situatë qorre për veten dhe për të gjithë ne”, tha Putin, duke folur së bashku me homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko në një konferencë shtypi.
Putin u zotua se ai nuk do të ndalojë operacionet ushtarake në Ukrainë derisa Moska të ketë sukses. Udhëheqësi rus hodhi poshtë gjithashtu raportet për mizoritë në qytetin ukrainas Bucha si “të rreme” dhe i krahasoi ato me raportet “të rreme” për përdorimin e armëve kimike në Siri nga regjimi i Asadit.
“Kishte provokime në Siri, kur u vendos përdorimi i armëve kimike nga qeveria e Asadit. Më pas doli se ishte false, e njëjta false është në Bucha”, tha Putin.