Trump thotë se Serbia dhe Kosova ishin shumë pranë luftës për faj të Biden, por ai e ndali

15 June 2025, 16:19Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Trump thotë se Serbia dhe Kosova ishin shumë pranë luftës
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një deklaratë të gjatë në rrjetin e tij Truth Social, ku foli për perspektivën e paqes mes Iranit dhe Izraelit pas një konflikti të drejtëprdrejtë të nisur ditët e fundit mes tyre.

Në arsyetimin e tij për arritjen e një marrëveshjeje, Trump renditi disa prej ndërhyrjeve të tij në politikën e jashtme, ku mes të tjerave përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin shumë pranë luftës, siç kanë qenë për dekada me radhë. Unë e ndala atë,” shkruan Trump në postim, duke kritikuar më pas paraardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden.

“Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë të pamenduara, por unë do ta rregulloj përsëri”, theksoi Trump.

Trump iu referua marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, e cila u ndërmjetësua nga administrata e tij dhe synonte normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të njëjtin postim, Trump pretendon se ka ndikuar edhe në shmangien e konflikteve mes Egjiptit dhe Etiopisë për lumin Nil dhe midis Indisë dhe Pakistanit përmes presionit tregtar të SHBA-së. Ai përfundon me një premtim ambicioz:

“Së shpejti do të kemi PAQE mes Izraelit dhe Iranit! Shumë telefonata dhe takime po ndodhin. Unë bëj shumë, por nuk më jepet kurrë merita — s’ka problem, populli e kupton.”


Video