Republikani Kevin McCarthy, është zgjedhur kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në raundin e 15-të. Nga 428 vota të hedhura, ai ka arritur të marrë 216 dhe Hakeem Jeffries i demokratëve arriti të marrë vetëm 212 vota.
Nëpunësja e Dhomës së Përfaqësuesve Cheryl Johnson u shpreh: "Kevin McCarthy, ka marrë shumicën e votave të hedhura dhe zgjidhet Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve".
Në fjalimin e tij të parë si kryetar i Dhomës, Kevin McCarthy u tha kolegëve të tij: "Tani fillon puna e vështirë".
“Ajo që ne bëjmë këtu sot, javën tjetër, muajin tjetër, vitin e ardhshëm, do të vendosë fokusin për gjithçka që vijon. Si kryetar i Dhomës, përgjegjësia ime përfundimtare nuk është ndaj partisë sime, por ndaj vendit tonë”.- shtoi McCarthy
Republikanët janë zotuar të nisin hetime për Biden, administratën e tij dhe biznesin e familjes së tij. Megjithatë presidenti demokrat Joe Biden uroi kryeparlamentarin e ri republikan.
“Populli amerikan pret që udhëheqësit e tyre të qeverisin në një mënyrë që i vendos nevojat e amerikanëve mbi gjithçka tjetër, dhe kjo është ajo që ne duhet të bëjmë tani. Siç thashë pas afatit të mesëm, unë jam i përgatitur të punoj me republikanët kur të mundem dhe votuesit e bënë të qartë se presin që republikanët të jenë të përgatitur të punojnë edhe me mua. Tani që udhëheqja e Dhomës së Përfaqësuesve është vendosur, është koha që ai proces të fillojë."- tha Biden.
Kthesa në zhvillimet që kanë mbajtur të paralizuar këtë dhomë, erdhi pasi zoti McCarthy ra dakord me shumë prej kërkesave të kundërshtarëve të tij brenda grupit të ligjvënësve republikanë. Mes këtyre lëshime, përfshihet rivendosja e një rregulli të kahershëm të Dhomës së Përfaqësuesve që do të lejonte çdo anëtar të vetëm të saj, të thërriste një votim për largimin nga detyra të kryetarit. Në thelb një gjë e tillë do ta vendoste zotin McCarthy nën kërcënimin e vazhdueshëm të kundërshtarëve të tij.
Po kështu sipas marrëveshjes ligjvënësit pritet të kenë më shumë ndikim në hartimin dhe miratimin e legjislacionit.