Sërish Wuhani/ Izolohen 1 mln banorë nga shpërthimi i Covid

28 July 2022, 11:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sërish Wuhani/ Izolohen 1 mln banorë nga shpërthimi i Covid

Rreth një milion njerëz në periferi të Wuhanit, qyteti kinez ku shpërtheu për herë të parë koronavirusi në dhjetor të vitit 2019, janë vendosur nën izolim.

Banorët e rrethit Jiangxia janë urdhëruar të qëndrojnë brenda shtëpive ose komplekseve të tyre të banimit për tre ditë, pasi u zbuluan katër raste asimptomatike me Covid, shkruan BBC.

Në Wuhan, një qytet me 12 milionë banorë, testimi i rregullt zbuloi dy raste asimptomatike dy ditë më parë.

Dy raste të tjera u gjetën përmes gjurmimit të kontaktit dhe menjëherë pas lëshimit të urdhrit të bllokimit.

Kina zbaton strategjinë e ‘zero rasteve me COVID’, duke përfshirë testime masive dhe izolime të ashpra. Një masë e tillë ka rezultuar me më pak vdekje sesa në shumë shtete tjera në botë.

Wuhan u bë i njohur në mbarë botën në fillim të vitit 2020 si vendi i parë që shkencëtarët zbuluan koronavirusin e ri dhe qyteti i parë që u vu nën masa të ashpra kufizuese.

 


Video