
Duke përdorur hapësirën ajrore mbi Bjellorusi në veri dhe ujërat e Detit të Zi në jug, forcat ruse lëshuan një breshëri raketash në të gjithë Ukrainën të shtunën, në një nga sulmet ajrore më të gjera dhe të koordinuara të javëve të fundit. Lajmi u njoftua nga zyrtarë ukrainas.
Ushtria ukrainase tha se gjithashtu se avionët luftarakë rusë kishin sulmuar pozicionet ukrainase pranë qytetit lindor të Lysychansk-ut, bastioni i fundit urban ende nën kontrollin e Ukrainës në provincën lindore Luhansk.
Të shtunën, kryebashkiaku i Sievierodonetsk-ut, Oleksandr Stryuk, një qytet që ndahet me një lum nga Lysychansk-u, tha se forcat ruse e kishin pushtuar qytetin.
Sulmet me raketa të shtunën erdhën disa orë përpara se Presidenti rus Vladimir Putin të takohej me Presidentin bjellorus Aleksandr Lukashenko në Shën Petersburg.
Forcat bjelloruse po kryenin sërish stërvitje ushtarake pranë kufirit me rajonin e Kievit, në veri të Ukrainës, duke rritur tensionet dhe duke i vënë autoritetet atje në gatishmëri të lartë.
Agjencia e zbulimit ushtarak të Ukrainës i quajti sulmet "një provokim në shkallë të gjerë të Rusisë, me qëllim tërheqjen e mëtejshme të Bjellorusisë në luftë kundër Ukrainës". Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se nuk ka gjasa që Bjellorusia t'i bashkohet përpjekjeve ruse, por qëndrimi në pushtet i zotit Lukashenko në Bjellorusi varet nga mbështetja e Kremlinit, çka kufizon hapësirën e tij për manovra politike.
Të shtunën Presidenti Biden u nis drejt Gjermanisë, ku do t'i bashkohet udhëheqësve të Grupit të Shtatëshes, në një takim të nivelit të lartë që synon të forcojë vendosmërinë perëndimore në mbështetje të Ukrainës përballë rritjes së kostos ekonomike që po krijon lufta për këto vende.