
Një avion mallrash, i cili sipas mediave greke dyshohet se kishte ngarkesë me rreth 12 tonë municione, është rrëzuar pranë qytetit të Kavala në Greqinë veriore në mbrëmjen e së shtunës.
Antonov-12 i operuar nga një kompani me bazë në Ukrainë po fluturonte nga Serbia dhe kishte destinacion Jordaninë. Ende mbetet e paqartë se sa persona kishte në bord dhe nëse ka të mbijetuar. Disa raporte thonë se 8 persona mund të kenë qenë në bordin e avionit.
Sipas FlightRadar24, avioni u nis nga Nishi, Serbi për në Amman, Jordani. Nisja u bë rreth orës 18:36 UTC dhe po kalonte detin Egje kur u kthye në drejtim të Greqisë në orën 19:29 dhe vetëm pak orë më vonë u rrëzua në një fushë pranë Kavalës.
Avioni lëshoi një sinjal rreziku dhe donte të bënte një ulje emergjente në Kavala, pasi një nga motorët e tij dështoi dhe mori flakë, por humbi nga radari menjëherë pas kësaj dhe u rrëzua në njw fushw, por për mrekulli nuk u rrezikua jeta e asnjë banori të zonës.
Mediat greke kanë bërë publike pamjet e avionit në flakë që kur ishte në ajër dhe shpërthimin e madh pasi goditi tokën. Sipas disa raporteve të mediave, dëshmitarët okularë dëgjuan shpërthime.
"Në orën 22:45 u befasova nga zhurma e motorit të avionit. Dola jashtë dhe pashë motorin në zjarr " tha për ERT një banor i zonës. ”.
Zyrtarët lokalë thanë se shtatë makina zjarrfikëse nxituan të shkonin në vendngjarje, por ata nuk mundën t'i afroheshin për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme.
"Ne po e trajtojmë ngarkesën si material të rrezikshëm," shkroi Reuters duke cituar një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve. Deri më tani nuk ka pasur asnjë koment publik nga Ukraina, Serbia apo Jordania se cili ishte destinacioni përfundimtar i municioneve të dyshuara.
Gjithashtu pritet që të operojnë edhe Brigada e Zjarrfikësve dhe ekipet e shpëtimit, për të eliminuar çdo mundësi për shpërthime të reja, pasi avioni kishte një ngarkesë me 12 tonë lëndë të rrezikshme.
Ndërkohë autoritete greke po shqyrtojnë mundësinë ee evakuimit të fshatit Antifilipi, ku ra avioni për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin municionet që ndodheshin në të.
Mundësia e evakuimit do të vlerësohet nga ekspertiza e punonjësve piroteknikë që ndodhen në vendngjarje, si dhe të Zjarrfikësve.