Admirimi i Vladimir Putinit për Pjetrin e Madh është i mirënjohur, por shefi i Kremlinit mendon se edhe vetë është po aq “madhështor”.
Putin e ka krahasuar veten me carin rus të shekullit të 18-të, duke e krahasuar pushtimin e Ukrainës sot me luftërat ekspansioniste të Pjetrit rreth tre shekuj më parë dhe duke pranuar se lufta nuk bëhet për denazifikim, por për aneksim territoresh të Ukrainës.
Ambiciet e dukshme të Putinit për rindërtimin e perandorisë nuk janë lajm i mirë për Ukrainën dhe kanë acaruar fqinjët e tjerë, përfshirë Estoninë, e cila i quajti komentet e Putinit "plotësisht të papranueshme".
Presidenti rus po takonte shkencëtarë dhe sipërmarrës të rinj kur bëri komentet. Para se të fliste për zhvillimin e teknologjisë, ai foli për politikën dhe pushtetin: betejën e re që ai sheh për dominimin gjeopolitik. Këtu, ai i tha audiencës së tij të zgjedhur se Pjetri i Madh ishte një model që duhej ndjekur.
"Ju mund të mendoni se ai po luftonte me Suedinë për të rrëmbyer tokat e tyre" tha Putin, duke iu referuar Luftërave Veriore që Pjetri i Madh zhvilloi për të farkëtuar një Perandori të re Ruse.
"Por ai nuk grabiti asgjë; ai rikuperoi territore!" tha Putin, duke pretenduar se sllavët kishin jetuar në këtë zonë me shekuj.
“Tani na ka rënë edhe neve që të rikuperojmë dhe forcojmë Rusinë”, përfundoi Putin, me një buzëqeshje gati-gati që nuk linte asnjë dyshim se ai i referohej Ukrainës dhe qëllimeve të tij atje.
Sundimi i Pjetrit, sugjeroi Putin, ishte provë se zgjerimi i Rusisë e forcon atë.
Kohët e fundit, Putin ka marrë përsipër të përmendë shpesh të kaluarën e Rusisë, gjithmonë të kuruar me kujdes për t'iu përshtatur kauzës së tij të sotme. Disa muaj përpara se të sulmonte Ukrainën, ai publikoi një ese gjigante në të cilën ai në thelb argumentoi të drejtën historike të vendit për të ekzistuar.
Kur Rusia pushtoi fqinjin e saj më 24 shkurt, Putin pretendoi në mënyrë të rreme se ishte një "operacion special" i kufizuar në rajonin lindor të Donbasit për të "denazifikuar" Ukrainën dhe për të zvogëluar kërcënimin e supozuar ndaj Rusisë.
Por edhe teksa ai po i thoshte ato fjalë, trupat e tij po lëviznin në Kiev dhe po bombardonin tokën edhe më në perëndim. Më shumë se 100 ditë më vonë, një e pesta e territorit ukrainas është nën kontrollin ushtarak rus, me administrata marionete që flasin për referendume për bashkimin me Rusinë.
Dhe tani Putin ndihet mjaft i guximshëm për të pranuar se "operacioni" i tij është në fakt një okupim. Ai gjithashtu beson se Perëndimi do të pranojë përfundimisht realitetin që trupat e tij po luftojnë për të kapur terrene.
“Në atë kohë, "asnjë vend europian" nuk e njohu pretendimin e Rusisë për tokën ku Pjetri i Madh krijoi Shën Pjetërburg si kryeqytetin e ri të guximshëm të Rusisë”, tha Putin. Tani e njohin të gjithë”.
Komentet e tij kanë tronditur gjithashtu vendet baltike. Ministria e Jashtme e Estonisë thirri ambasadorin rus për të dënuar referimin e tij për sulmin e Pjetrit të Madh ndaj Narvës, tani në Estoni.