Shqiptari Luan Braha pronar i një prej lavazheve me emrin "Bosi" në Angli, është dënuar me 8 vite burg nga gjykata britanike.
Ai ka tentuar të trafikojë emigrantë shqiptarë nga Belgjika për në vendin ishullor, duke përfshirë mes tyre edhe fëmijë të cilët i drogonte në mënyrë që të ishin të qetë përgjatë udhëtimit. Mediat vendase raportojnë se shqiptari përdori mjediset e lavazhit të tij në Staffordshire për të hartuar planin e tij të trafikimit të emigrantëve shqiptarë.
38-vjeçari, nga Maqedonia e Veriut, donte të sillte deri në 200 emigrantë në Britaninë e madhe duke i ngjeshur në pjesën e pasme të kamionëve. Ata do të paguanin më shumë se 5 mijë paund për udhëtimin.
Në bashkëpunim me persona të tjerë, Braha diskutoi se si fëmijët mund të drogoheshin për të qëndruar të qetë përgjatë rrugës që nga Belgjika deri në Britaninë e Madhe.
Por planet e tij dolën në dritë kur hetuesit nga Njësia Rajonale e Krimit të Organizuar të West Midlands (ROCU) kuptuan se ai ishte organizatori i trafikimit të emigrantëve. Më pas, 38-vjeçari u arrestua në lavazhin e tij edhe pse ai kundërshtoi planet për të trafikuar emigrantë.
Sipas dosjes së prokurorisë angleze, Braha përdori lavazhin e tij për të krijuar njohje me elementë kriminalë në mënyrë që të ekzekutonte planin e tij për trafikimin e emigrantëve. Policia i vendosi përgjues duke zbardhur bisedat e Brahas për trafikimin e emigrantëve.