
Një pastor ukrainas dhe baba i dy fëmijëve po shërben tani si komandant batalioni vullnetar për 120 ushtarë të moshave nga 18 deri në mesin e të 70-tave. Pastori-komandant tha se po përgatiten për ndërhyrje në Ukrainën jugore pas luftimeve në Kiev.
Oleg Magdych tha për CNN se shumica e ushtarëve të cilët ai po trajnon janë civilë, por kanë bërë trajnim intensiv.
“80% e njësive të mia janë njerëz që nuk kanë mbajtur kurrë një armë në dorë në jetën e tyre. Ata janë shoferë të zakonshëm kamionësh, juristë”, tha Magdych.
Ai nuk raportoi asnjë lëndim në batalionin e tij në ndërhyrjen për të mbrojtur Kievin.
“Në ditët e para u grindën pak me mua se për shembull nuk u dukej ide e mirë gërmimi i llogoreve. Tani, pas granatimeve të para, të gjithë duan të hapin llogore”, thotë pastori.
Gruaja e tij është në Ukrainën perëndimore duke ndihmuar me ushqim dhe strehim dhe duke ndihmuar për ofrimin e ndihmës psikologjike.
“Ajo është heroina ime. Ajo nuk donte të shkonte në Evropë. Vendosi të qëndrojë në Ukrainë dhe ta presë fitoren këtu”, tha ai.
Djali i tyre më i vogël u është bashkuar Forcave të Mbrojtjes Territoriale që mbrojnë Ukrainën perëndimore.