
Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky kanë pasur një bisedë telefonike mbrëmjen e kësaj të mërkure.
Ata kanë diskutuar për ndihmën shtesë ushtarake dhe financiare për Ukrainën, për shtrëngimin e sanksioneve dhe krimeve të pretenduara të luftës nga Rusia.
Në lidhje me këtë bisedë ka pasur një reagim në rrjetet sociale nga Presidenti Zelensky.
Kjo bisedë vjen në fakt pasi presidenti ukrainas bëri një tjetër kërkesë ndaj Perëndimit për të dërguar armatime të rënda për të zmbrapsur agresionin rus.
Në një fjalim në anglisht, Zelensky tha se Ukraina kishte nevojë për artileri të rëndë, mjete të blinduara, tanke, sisteme për mbrojtjen ajrore dhe avionë luftarakë.
Pentagoni bën me dije se në paketën e re të ndihmës me armatime për Ukrainën që presidenti Joe Biden autorizoi do të ketë dhe mjete për mbrojtjen nga armët kimike.
Sipas zëdhënësit, John Kirby në listën e ndihmave ushtarake përfshihen helikopterët Mi-17, obusë si dhe pajisje për mbrojtjen individuale nga ndonjë sulm i mundshëm kimik.
Nisja e kësaj ngarkese është pas shqetësimeve të fundit nga Perëndim dhe Kievi zyrtar se Rusia është duke menduar të ndërmarrë sulme me armë të ndaluara.