“Omicron nuk është rrezik”/ Danimarka heq të gjitha kufizimet anti-Covid

1 February 2022, 18:41Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Omicron nuk është rrezik”/ Danimarka heq të gjitha

Danimarka ka hequr të gjitha kufizimet e saj të brendshme kundër Covid-19, përfshirë mbajtjen e maskave për fytyrën, duke e bërë atë vendin e parë i Bashkimit Europian që ndërmerr këtë hap.

Klubet e natës janë rihapur, shitjet e alkoolit në orët e natës kanë rifilluar pas ndërprerjes prej shumë muajsh dhe aplikacioni danez i sigurisë ndaj koronavirusit nuk është më i nevojshëm për të hyrë në ambiente të mbyllura.

Ndërsa rastet janë ende relativisht të larta, autoritetet thonë se virusi nuk kualifikohet më si një "kërcënim kritik" për shëndetin publik. Sipas ekspertëve, kjo është për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit në vend.

Më shumë se 80 për qind e popullsisë mbi moshën pesë vjeç kanë bërë dy vaksina dhe mbi 60 për qind i është dhënë një dozë e tretë përforcuese.

"Meqenëse Omicron nuk është një sëmundje e rëndë për të vaksinuarit, ne besojmë se është e arsyeshme të hiqen kufizimet", tha epidemiologu Lone Simonsen nga Universiteti i Roskilde për agjencinë e lajmeve AFP.

Nga e marta, maskat nuk kërkohen më në dyqane, restorante dhe në transportin publik. Kufizimet në numrin e njerëzve të lejuar në tubime të brendshme dhe masat e distancimit social gjithashtu marrin fund.

Aplikacioni kombëtar Covid Pass nuk kërkohet më, megjithëse organizatorët e eventeve me shumë njerëz vullnetarisht mund ta kërkojnë atë./Voxnews.al


Video