Një vendim nga Izraeli, që shihet si provokim nga Turqia dhe ndez tensionet

28 June 2026, 22:27Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një vendim nga Izraeli, që shihet si provokim nga Turqia dhe ndez

Kabineti qeveritar i Izraelit ka miratuar unanimisht një propozim të dielën për të përcaktuar zyrtarisht si gjenocid vrasjen masive të armenëve nga Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore. Ky vendim, i cili shënon një kthesë radikale në politikën e jashtme izraelite, pritet të kalojë së shpejti për votim në Parlament (Knesset) për të marrë fuqi të plotë ligjore.

Hapi i ndërmarrë pasqyron përkeqësimin e skajshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Izraelit dhe Turqisë gjatë dy dekadave të fundit, të cilat u tensionuan edhe më tej për shkak të konflikteve të fundit në Rripin e Gazës, Liban dhe Iran. Për vite me radhë, Izraeli e kishte shmangur zyrtarizimin e kësaj nisme nga frika e një thyerjeje diplomatike me Ankaranë zyrtare.

Propozimi iu paraqit ekzekutivit nga Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i cili e cilësoi vendimin si një akt të pashmangshëm drejt të vërtetës historike:

“Pavarësisht dokumentacionit të gjerë dhe të qartë historik, gjenocidi armen mbetet edhe sot e kësaj dite objekt i një fushate të institucionalizuar mohimi dhe minimizimi, duke përfshirë një rishkrim manipulues të historisë, kryesisht nga qeveria turke. Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur. Kjo është një detyrë morale dhe historike.”

Studiuesit dhe historianët vlerësojnë se rreth 1.5 milion armenë u vranë nga turqit osmanë rreth vitit 1915, ngjarje që konsiderohet gjerësisht si gjenocidi i parë i shekullit të 20-të. Deri më tani, 32 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Sirinë dhe Libanin, e kanë njohur zyrtarisht atë si të tillë.

Reagimi i ashpër i Turqisë: Vendim politik për të mbuluar krimet në Gaza

Reagimi i Turqisë ka qenë i menjëhershëm dhe tejet i ashpër. Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme turke e cilësoi lëvizjen e Tel Avivit si një manovër “të motivuar politikisht” që synon të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga akuzat me të cilat përballet vetë Izraeli.

Ankaraja hodhi akuza direkte ndaj Kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke kujtuar edhe proceset që po zhvillohen në gjykatat ndërkombëtare:

“Qeveria izraelite, e cila persekuton sistematikisht popullin palestinez para syve të botës dhe po gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid kundër popullit të Gazës, synon të mbulojë krimet e veta. Kjo përpjekje keqdashëse zbulon gjendjen e vështirë të Netanyahut dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët kanë urdhër-arreste kundër tyre në GNP (Gykata Ndërkombëtare Penale).”

Ky zhvillim vjen në një moment tejet delikat për Lindjen e Mesme, ku diplomacia dhe aleancat po ndryshojnë me shpejtësi. Paralelisht me këtë ngjarje, rajoni po monitoron zhvillime të tjera të rëndësishme.

Izraeli dhe Libani sapo kanë nënshkruar një marrëveshje kornizë për paqe, e cila kërkon si pikë kryesore çarmatimin e grupit militant Hezbollah – një proces që shihet si tejet i vështirë për t’u zbatuar në terren.

Ndërkohë, Irani ka sulmuar së fundmi Bahreinin dhe Kuvajtin si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të mëparshme amerikane, duke kërcënuar gjithashtu me ndërprerjen e të gjitha bisedimeve diplomatike.

Nga ana tjetër, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një takimi të fundit në Shtëpinë e Bardhë, i ka bërë presion presidentit të ri të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, që vendi i tij të përballet dhe të shkëpusë lidhjet me Hezbollahun, gjë që ka shtuar alarmin në Bejrut dhe Tel Aviv.

Izraeli vazhdon të mohojë prerazi akuzat e ngritura nga Kombet Bashkuara dhe Turqia se ofensiva e tij ushtarake në Gaza përbën gjenocid, duke i cilësuar raportet e fundit të ekspertëve të OKB-së si “mashtrime shpifëse” dhe duke insistuar se operacionet e tij shënjestrojnë ekskluzivisht strukturat e Hamasit.


Video