
Kryeministri hungarez Viktor Orban u takua me Vladimir Putinin e Rusisë në Kremlin të martën, duke u zotuar për bashkëpunim me Moskën për vitet e ardhshme në një vizitë të kritikuar nga aleatët e tij në BE.
Orban udhëtoi për në Moskë pavarësisht se opozita e Hungarisë e akuzoi atë për tradhti ndaj interesave kombëtare duke ndërmarrë vizitën në prag lufte me Moskën.
Por, Orban, i cili ka udhëhequr Hungarinë anëtare të NATO-s që nga viti 2010, ka pasur marrëdhënie miqësore me Putinin, në një raport që është forcuar sa herë Budapesti përplasej me Brukselin.
"Ky është takimi ynë i 13-të. Është një gjë e rrallë. Praktikisht të gjithë ata që ishin kolegët e mi në BE nuk janë më", tha Orban, i ulur përballë Putinit në Kremlin.
Orban tha se nuk ka plane të largohet nga pushteti dhe se ai priste të fitonte zgjedhjet në prill, të cilat parashikohen që të jenë gara e tij më e vështirë që nga marrja e detyrës.
“Kam shpresa të mëdha që për shumë vite të ardhshme ne mund të punojmë së bashku”, tha ai. Edhe pse nuk e përmendi Ukrainën me emër, Orban pohoi gjithashtu se ishte në një "mision paqeje".
"Dëshiroj t'ju siguroj se asnjë lider i BE-së nuk dëshiron luftë, apo konflikt. Ne jemi gati për një marrëveshje racionale", tha ai.
Putin falënderoi Orbanin për gjithçka ka bërë për marrëdhëniet ruso-hungareze dhe e cilësoi atë një partner të besueshëm për të diskutuar për sigurinë në Europë./Voxnews.al