Me një breshëri deklaratash të reja, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar akuzon Greqinë për ekspansionizëm kundër Turqisë.
"Me fjalë të tjera, ju me 3000 ishuj në Egje armatoseni nën hundën tonë dhe do të na akuzoni për ekspansionizëm. Kjo nuk ka logjikë. Ne duam që vendet e treta ta shohin dhe ta kuptojnë këtë. Ka diçka që ka filluar që nga viti 1832 dhe vazhdon. Ka një proces. Kanë mbuluar gjithë Egjeun. Kush është ekspansionisti? Këtu flasim për një vend që është zgjeruar 5 apo 7 herë që nga themelimi. Kush është ekspansionist?" , tha zoti Akar.
"Kanë rritur ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes. E kanë pesëfishuar. Ne u themi mos u lodhni me këtë që po bëni, është shumë pak për Forcat e Armatosura Turke", tha ministri turk i Mbrojtjes dhe vazhdoi.
“Në nenin 12 të Traktatit të Lozanës dhe në nenin 14 të Traktatit të Parisit thuhet se këta ishuj i janë dhënë Greqisë me kushtin e çmilitarizimit. Janë ishujt me status të çmilitarizuar. Janë 23 ishuj nga të cilët ata militarizuan 16 dhe na dalin me argumente joserioze. Shkuan dhe vendosën aeroporte, tanke, mortaja. Atëherë, kjo nuk na jep të drejtën e vetëmbrojtjes? A nuk është vendosja e armëve nën hundë tonë kërcënim për vendin tonë? Çfarë do të ndodhë nëse reagojmë? A nuk bëhet i diskutueshëm sovraniteti i këtyre ishujve për shkak të militarizimit?'', vijoi ai.
Në deklaratat e tij Akar akuzoi Greqinë për hedhje akuzash të pabaza.
"Ata bëjnë deklarata të pabaza. Tani vazhdojnë të flasin për neo-otomanizëm. Në bisedat tona, në takimet tona, në kërkesat tona nuk ka një gjë të tillë. Ne themi të drejtën ndërkombëtare, traktatet e Lozanës dhe Parisit. Këtë e themi ne dhe ne kërkojmë të drejtat tona”, deklaroi ministri turk i Mbrojtjes.