Ministri i Jashtëm turk: Nuk do lejoj që Ballkani të kthehet në vitet '90

19 June 2022, 17:49Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministri i Jashtëm turk: Nuk do lejoj që Ballkani të kthehet
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavusoglu deklaroi sot se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të 1990.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi sot me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa theksoi mbështetjen e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ministri turk teksa vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve, theksoi se Kosova është vend partner i NATO-s dhe se Turqia e vlerëson tejet të rëndësishme paqen dhe stabilitetin.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se Turqia është partner, mik dhe aleat i madh i  Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë.

Duke theksuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.

Në takim u diskutua për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje. U vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri turk sot gjatë ditës është takuar edhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.


Video