Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po konsideron mundësinë e një ndërhyrjeje të përbashkët ushtarake me Izraelin kundër objekteve bërthamore iraniane, përfshirë edhe ato në kompleksin e Fordow, sipas burimeve të cituara nga rrjeti amerikan CBS, partner mediatik i BBC-së në SHBA.
Burimet kanë bërë të ditur se kjo çështje ka qenë ndër temat kryesore të diskutuara gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, e cila u zhvillua në dhomën e situatave të emergjencës në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, ende nuk ka një marrëveshje të plotë mes këshilltarëve më të ngushtë të presidentit për këtë çështje delikate.
Takimi, i cili zgjati rreth një orë e 20 minuta, është mbyllur pa ndonjë deklaratë publike nga ana e Presidentit Trump.
Opsioni më i mundshëm që Trump po shqyrton do të ishte përdorimi i bombave amerikane kundër objekteve bërthamore nëntokësore të Iranit në Fordow.
Bombat depërtuese të arsenalit të Izraelit nuk mund të arrijnë thellësinë ku besohet se ndodhen objektet, 90 metra nën sipërfaqen e tokës.
“New York Times” raporton gjithashtu se Trump po shqyrton gjithashtu mundësinë e lejimit të avionëve amerikane për të furnizuar me karburant avionët luftarakë izraelitë në mënyrë që ata të mund të fluturojnë në misione me rreze të gjatë veprimi.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se çmontimi i programit bërthamor të Iranit mbetet një përparësi edhe për Trump.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende detaje mbi vendimet e mundshme të marra, por pritet që zhvillimet e mëtejshme të bëhen të ditura në orët apo ditët në vijim.
Këto lëvizje vijnë në një klimë tensioni të shtuar mes Iranit dhe Izraelit, me konfrontime të përshkallëzuara dhe shqetësime në rritje për programin bërthamor iranian. Analistët ndërkombëtarë paralajmërojnë se një ndërhyrje ushtarake në objektet bërthamore të Iranit do të mund të sjellë pasoja të mëdha për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.