Mashtroi klientët me miliarda dollarë, “kriptombretëresha” një nga 10 personat më të kërkuar nga FBI

1 July 2022, 08:42Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Mashtroi klientët me miliarda dollarë,

Ruja Ignatova, për të cilën hetuesit thonë se ishte drejtuesja e një skeme me kriptomonedha që mashtronte investitorët me miliarda dollarë, është vendosur në listën e dhjetë më të kërkuarve të FBI-së, njoftoi agjencia të enjten.

Ignatova me origjinë bullgare akuzohet se ka bërë deklarata dhe përfaqësime të rreme për të tërhequr investitorë në OneCoin, kompania që ajo themeloi në vitin 2014, e cila tregtoi monedhën e saj virtuale të supozuar si “vrasësi bitcoin”.

Ignatova – e cila e cilësoi veten si “kriptombretëresha” – kapitalizoi emocionet që rrethonin kriptomonedhën dhe shënjestronte viktimat që mund të mos e kishin kuptuar plotësisht investimin në monedhën virtuale, thanë zyrtarët në një deklaratë.

Gruaja mashtroi viktimat për më shumë se 4 miliardë dollarë, njoftoi agjencia.

Ndryshe nga kriptovalutat autentike të cilëve mund t’u gjurmohet historia e transaksioneve, kompania e saj nuk mund të përdorej për të blerë mallra të jetës reale dhe “nuk kishte vlerë reale” për askënd përveç themeluesve të saj, tha në një deklaratë të vitit 2019 ndihmësdrejtori i atëhershëm i FBI-së, William Sweeney Jr.

FBI-ja ofron një shpërblim deri në 100 mijë dollarë për informacionin që çon në arrestimin e Ignatova dhe vuri në dukje se agjencia shpreson që shtimi i saj në listë të ndihmojë në tërheqjen e vëmendjes ndaj rastit, shkruan albanian post.

Ignatova është gruaja e 11-të që përfshihet në listën e dhjetë të arratisurve më të kërkuar të FBI-së në historinë e saj prej më shumë se shtatë dekadash.

Para Ignatovës, më e fundit ishte Shanika S. Minor, e cila u rendit në vitin 2016 për vrasjen me armë zjarri ndaj një gruaje shtatzënë.

Ignatova u pa për herë të fundit në tetor 2017 duke udhëtuar nga Sofja, Bullgari, për në Athinë menjëherë pasi u lëshua një urdhër federal për arrestimin e saj, për të cilin autoritetet thonë se ajo mund të ishte e informuar.

Vitin pasues u lëshua një aktakuzë zëvendësuese duke e akuzuar Ignatova me pesë akuza për mashtrim dhe komplot.

FBI-ja vuri në dukje se para zhdukjes së saj, Ignatova jetonte një jetë luksoze.

Vëllai i saj Konstantin Ignatov u deklarua fajtor për mashtrim dhe pastrim parash në lidhje me skemën OneCoin në vitin 2019. Europol e shtoi Ignatova-n në listën e saj e më të kërkuarve muajin e kaluar.

 


Video