Nëntëmbëdhjetë fëmijë të vegjël dhe dy të rritur kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në Teksasin jugor.
18-vjeçari i armatosur hapi zjarr në shkollën fillore Robb në qytetin e Uvalde para se të vritej nga forcat e rendit, thanë zyrtarët.
Hetuesit thonë se i dyshuari ishte i armatosur me një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë.
Salvador Ramos vrau fillimisht gjyshen e tij, dhe më pas ka bërë një aksident automobilistik pranë shkollës fillore. Ai doli nga makina me një pushkë dhe hyri në ndërtesën e shkollës duke hapur zjarr në disa nga klasat.
Pak dihet për Ramos: ai ishte një gjimnazist në zonë dhe pak para masakrës kontaktoi me një të panjohur në Instagram duke i thënë se kishte një sekret që donte ta tregonte: “Unë jam gati të …”.
Megjithatë, ai nuk i ka rrëfyer vajzës se cili ishte gjesti i çmendur që kishte në mendje dhe që e përfundoi disa orë më vonë. Në llogarinë e tij në Instagram, vrasësi ka postuar një selfie dhe foto të armëve, mes të cilave një me dy pushkë. Nuk dihet nëse këto janë armët e përdorura për masakrën. Ajo që dihet është se djali ka blerë dy pushkë për ditëlindjen e tij të 18-të.
Shefi i Policisë së Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, Pete Arredondo tha se të shtënat filluan në orën 11:32 me orën lokale të së martës dhe se hetuesit besojnë se sulmuesi “veproi i vetëm gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se sulmuesi, braktisi një automjet përpara se të hynte në shkollë për të hapur zjarr “të tmerrshëm, në mënyrë të pakuptueshme”.
Një nga të rriturit e vrarë ishte një mësuese, e cila është përmendur në mediat amerikane si Eva Mireles.