Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se projekti politik për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar, megjithëse ende nuk ka vdekur.
Në një intervistë për Al Jazeera, Kurti tha se së kjo gjë nuk do ndodhë dhe se shkëmbimi i territoreve është formulë për luftë.
“Jam i sigurt se presidenti serb është nostalgjik për ato kohë, që nënkupton se projekti politik i shkëmbimeve të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Por, nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilin mund të bëjmë progres. Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodh. Shkëmbimi i territoreve është formulë për luftë. Nuk mund të kesh kufij perfekt etnik, gjithmonë do ketë njerëz që ndjejnë se janë në anën e gabuar të tij. Ajo që kemi nevojë janë republikat që kanë marrëdhënie normale dhe demokraci. Demokracitë nuk e luftojnë njëra-tjetrën”.
Gjatë intervistës, Albin Kurti ka thënë që ka kërkuar shtimin e numrit të forcave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, për shkak të rritjes së bashkëpunimit mes Serbisë dhe Rusisë.
“Na shqetësojnë lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë, për këtë arsye na duhen më shumë trupa… Bashkëpunimi mes tyre është rritur pas nisjes së luftës në Ukrainë, dhe për këtë arsye na duhen trupa shtesë të NATO-s në Kosovë”, tha ai gjatë një interviste për Al Jazeera.
Më 1 janar, Kurti, i bëri thirrje NATO-s që të rrisë numrin e forcave paqeruajtëse në Kosovë.
Por, më 5 janar, NATO i tha REL-it se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtimin e numrit të trupave në misionin e saj, KFOR, dhe se aktualisht kanë prezencë të mjaftueshme në Kosovë.