Kurti pas takimit me Escobar dhe Lajçak: Integriteti territorial nuk cenohet

31 January 2022, 20:48Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kurti pas takimit me Escobar dhe Lajçak: Integriteti territorial nuk

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me të dërguarit e SHBA dhe BE për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, tha se mbështet krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

Për dialogun, Kurti tha se integriteti territorial, sovraniteti e funksionimi shtetëror duhet të mbesin të pacenuara dhe në fund “të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve”.

“Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt”, deklaroi Kurti.

Ai u shpreh se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnike, por tha se do të merren praktikat më të mira sepse nuk mund të ketë “komunitet të diskriminuar dhe të privilegjuar”.

Me këtë Kurti iu referua diskriminimit që Serbia i bën minoritetit shqiptar në territorin e saj.

Kryeministri i Kosovës u zotua edhe për bashkëpunim rajonal duke thënë se angazhohen në Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, po pa përmendur nismat e tjera siç është ajo e “Open Balkan”.

“Dëshirojmë ndihmën e BE, ndihmë kjo e cila do të has në vendin tonë respektin më të lartë për vlerat evropiane, pra fondet evropiane dhe vlerat evropiane ne i shohim si të lidhura pashkëputshëm njëra prej tjetrës”, përfundoi Kurti.


Video