Gazetari Ridvan Berisha është sulmuar me fjalë të ulëta në facebookun e tij, pasi ka njoftuar se do të organizojë homazhe për viktimat izraelite të sulmit terrorist të Hamasit.
Berisha, përmes një postimi në Facebook ka ftuar qytetarët të ndezin qirinj ditën e nesërme në Prishtinë, por ky gjest nuk është pritur mirë nga disa komentues.
“Sa po të paguajnë jahuditë o qafir”, i shkruan dikush. Ndërsa një tjetër komentues i thotë se uron që gazetarit “ti dalë shpirti e ta vrasë Hamasi”.
Jo vetëm në Kosovë, në shumë qytete evropiane, SHBA, Australi dhe Kanada, komunitetet myslimane, palestinezë dhe të tjerë me origjinë nga vendet arabe janë çuar ditët e fundit në protesta-festë, për sulmet e Hamas ndaj Izraelit.
Mesazhi i postuar nga gazetari:
Miq,
Kudo qe jeni!
Një grup vullnetarësh kemi organizuar ndezje qirinjsh për të nderuar viktimat civile hebreje të sulmit terrorist të Hamasit, një organizate kjo e ngjashme sikurse ISIS që po shkakton vrasjen në masë të civilëve.
Aktiviteti mbahet të enjten në ora 18:00 para Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Jeni të mirëpritur që të nderojmë viktimat e po ashtu të lutemi së bashku për paqe!