
Qeveria e Kosovës ka miratuar paketën e dytë të ndihmës financiare, përmes të cilës thotë se do të përfitojnë të paktën 800 mijë shtetas.
Në një konferencë për shtyp, kryeministri Albin Kurti tha se do të përfitojnë 100 euro shtesë për muajin prill të gjithë pensionistët e Kosovës.
Kurti po ashtu ka thënë se do të mbështeten me 100 euro edhe punëtorët e sektorit privat.
“Për herë të parë do të mbështesim me shumë të njëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat. Pra rreth 300 mijë punonjës. Në kuadër të kësaj mbështetje, shumën e njëhershme prej 100 euro për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Pra po ndajmë nga 100 euro për ata në privat dhe në publik”, tha Kurti.
Mbështetje prej 100 euro do të marrin edhe punëtorët e sektorit publik dhe studentët.
Po në këtë konferencë, Kryeministri i Kosovës ka premtuar edhe rritje të pagës minimale, ndërkohë që komuniteti i sipërmarrjes ka propozuar që paketa prej 100 eurosh t’u ndahet qytetarëve në formën e kuponave për blerje ushqimore.