Izraeli pranon sulmin ndaj ambulancës: Hamasi po e përdorte për të transportuar terroristë

3 November 2023, 21:54Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Izraeli pranon sulmin ndaj ambulancës: Hamasi po e përdorte për
Izraeli pranon sulmin ndaj ambulancës

"Ne goditëm një ambulancë të përdorur nga Hamasi". Ka qenë kjo deklarata e bërë nga ushtria izraelite mbrëmjen e së premtes.

Konfirmimi për sulmin vjen pas goditjes së një sërë ambulancash jashtë spitalit Al Shifa në Gaza, më herët gjatë ditës së sotme.

Videot e bëra virale në rrjet tregojnë njerëz të panikosur dhe të gjakosur, në pritje për të marrë ndihmë mjekësore nga ambulancat.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë në veçanti se një nga avionët e saj goditi një ambulancë "e cila u identifikua se po përdorej nga një celulë terroriste e Hamasit".

Nga ana tjetër, ministria e shëndetësisë e Hamasit në Gaza njoftoi se dhjetëra njerëz u vranë dhe u plagosën nga bombardimet, për të cilat fajësoi Izraelin.

Një zëdhënës i IDF tha se një numër militantësh u vranë duke shtuar se kanë "informacion që vërteton se mënyra e veprimit të Hamasit është transportimi i operatorëve dhe armëve në ambulanca.”

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite shtoi: “Kjo zonë është një zonë luftimi. Civilëve në zonë u është thënë vazhdimisht që të lëvizin në jug për sigurinë e tyre”.

Si pasojë e bombardimeve, besohet se të paktën 13 persona kanë vdekur dhe 26 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Një zëdhënës i Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë në Gaza tha se ambulanca ishte në një kolonë mjekësore nga spitali, duke udhëtuar për në vendkalimin kufitar Rafah dhe kishte informuar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për këtë lëvizje.


Video