Ish-komandanti i NATO-s: Lufta në Ukrainë merr fund me një marrëveshje që do ta urrejnë të gjithë

13 April 2022, 17:58Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-komandanti i NATO-s: Lufta në Ukrainë merr fund me një
Ish-komandanti i NATO-s në Europë, James Stavridis

Ish-komandanti i NATO-s në Europë, James Stavridis, ka folur për luftën në Ukrainë, duke nënvizuar edhe opsionin e një marrëveshjeje eventuale për fundin e konfliktit.

Sipas tij, marrëveshja do të urrehet nga të gjithë, nga Putin, Zelensky dhe NATO për arsye të ndryshme. Ai ka sjellë për analogji rastin e Finlandës në vitin 1940, kur Bashkimi Sovjetik sulmoi ushtarakisht, por u përball me një mbrojtje të jashtëzakonshme që i kushtoi shumë.

“…në fund lufta u shndërrua në negociatë e cila kur mbaroi Finlanda dha 10% të territorit. Por vazhdoi si vend sovran dhe pranuan pozicionin e neutralitetit. Dhe sinqerisht mendoj se kjo situatë mund të shkojë po ashtu. Ka shumë mundësi të tjera. Do të thosha se ka një shans 60-65% që do të shohin një mbyllje me negociata që i jep Putinit kontroll mbi 10-15% të Ukrainës, por pjesa tjetër vazhdon si vend sovran.

Zelensky qëndron president dhe ukrainasit vendosin për vete, në këtë moment neutraliteti bën më shumë kuptim. Meqë ra fjala çdokush do ta urrejë marrëveshjen në fjalë.

Putin, sepse e di që ka dështuar në objektivin real të pushtimit të plotë, Zelensky sepse do të jetë presidenti që lëshoi 15% të territorit dhe Perëndimi sepse do të duhet të anullojë disa sanksione. Pra të gjithë do ta urrejnë, por kështu mbarojnë shpesh luftërat”, është shprehur Stavridis.

Ai e ka cilësuar si befasues nivelin operacional të ushtrisë ruse dhe dështimin e saj të sikletshëm në planifikim dhe logjistikë.


Video