Një gjykatë në Britani ka dënuar me burgim të përjetshëm infermieren, Lucy Letby për vrasjen e 7 fëmijëve të mitur dhe për tentativën e saj për vrasjen e 6 të tjerëve, teksa punonte në një maternitet në veri të Anglisë. Gjyqtari i çështjes dha kështu dënimin më të rëndë që parashikon ligji britanik.
“Gjatë procesit, me gjakftohtësi ju keni mohuar çdo përgjegjësi për krimet tuaja dhe jeni përpjekur t’ua atribuoni fajin të tjerëve. Ju nuk shfaqni shenja pendese dhe nuk mund të ketë faktorë lehtësues. Në tërësinë e tyre, akuzat e vrasjes dhe tentativës së vrasjes janë tej mase serioze dhe ndëshkimi, sipas ligjit, kërkon dënim maksimal”, tha gjyqtari James Goss.
Fëmijët, mes të cilëve tre djem trinjakë, u vranë në maternitetin ‘Spitali Kontesha e Çesterit’, në veri-perëndim të Anglisë, në periudhën qershor 2015-qershor 2016.
Vetë infermierja Letby nuk e ndoqi procesin gjyqësor për të dëgjuar zemërimin dhe ankthim e prindërve të fëmijëve, të cilëve ajo u mori jetën.
Prokuroria tha se Letby kishte “kalkuluar” gjithçka dhe kishte përdorur metoda të vrasjes “që nuk lanë shumë gjurmë pas”.
Letby vazhdimisht ka mohuar se u ka bërë keq foshnjave. Gjatë gjykimit janë dëgjuar edhe dëshmitë e kolegëve të infermieres, të cilët thanë se kishin vërejtur se Letby kishte qenë në punë në çdo rast kur foshnjat e porsalindura kishin vdekur.
Letby ishte arrestuar dhe ishte liruar dy herë. Ajo u arrestua për herë të tretë më 2020 dhe që atëherë gjendet në burg.
Gjatë kontrolleve në shtëpinë e saj, policia kishte gjetur dokumente të spitalit dhe shënime të cilat i kishte shkruar vetë Letby. Në një prej shkrimeve thuhej: “Jam e lig, unë e kam bërë këtë”.
Letby më vonë pretendoi se ky shënim ishte bërë pasi ishte transferuar të kryente punë administrative pas vdekjes së dy trinjakëve.
Infermierja ka mohuar akuzat dhe ka sugjeruar se një “bandë” prej katër mjekësh po tentonin që t’ia hidhnin fajin asaj për shkak të dështimeve të spitalit sa i përket përkujdesjes së foshnjave.