Gazeta satirike amerikane blen në ankand portalin e konspiracionistit Alex Jones

14 November 2024, 19:35Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazeta satirike amerikane blen në ankand portalin e konspiracionistit Alex
Alex Jones

Faqja mediatike e konspiracionistit famëkeq amerikan Alex Jones është shitur në ankand në Shtetet e Bashkuara, pas një urdhri të gjykatës që e ka detyruar atë të shesë “perandorinë” e lajmeve të rreme.

Gjykata amerikane e ka urdhëruar Jones të dëmshpërblejë me plot 1.4 miliard dollarë familjarët e viktimave të masakrës “Sandy Hook”.

Jones humbi gjyqin ndaj tyre, pasi kohë më parë në emisionin e tij “Infowars”, kishte përhapur dhjetra lajme të rreme duke deklaruar se masakra me 28 viktima, shumica e tyre fëmijë të një shkolle fillore, ishte e sajuar nga agjentë të qeverisë, dhe se prindërit ishin “aktorë të paguar”.

Gazeta satirike amerikane blen në ankand portalin e konspiracionistit Alex
The Onion

Komentet e Jones bënë që prindërit, përveç dhimbjes së humbjes së fëmijëve të tyre, të përballeshin edhe me një fushatë kërcënimesh, përndjekjesh dhe shantazhes nga dëgjuesit e konspiracionistit Jones.

Tashmë “Infowars” është blerë nga gazeta satirike amerikane “The Onion”.

CEO i “Onion” Ben Collins ka deklaruar se “Infowars” e bleu me ndihmën e familjarëve të viktimave të “Sandy Hook”, dhe se ka plan tashmë për ta shndërruar portalin konspiracionist në një faqe me lajme humoristike.

Vetë Alex Jones tha në rrjetet sociale se “Infowars u ble nga demokratët dhe Onion”. Jones njihet si një prej mbështetësve të flakët të Donald Trump, ndonëse presidenti i zgjedhur amerikan është munduar ta shmangë sa më tepër të mundet.


Video