“Liberalizmi është e vetmja doktrinë politike që ka sukses në afatgjatë: lindur pas luftërave fetare, i rikthyer në fund të Luftërave Botërore, ai bazohet në idenë e shumëllojshmërisë brenda shoqërisë dhe nevojës në gjetjen e mënyrave për të dialoguar e për të bashkëjetuar. Por sot është në rrezik. Përgjatë dekadave të paqes që na ka garantuar, qoftë nga e djathta e qoftë nga e majta, ka prej atyre që ua kanë përvetësuar me cinizëm vlerat, duke i çuar në ekstreme.”
Politologu i Stanford, Francis Fukuyama, është autori i librit të njohur “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, ese e shkruar në vitin 1992 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e ku mbështeste idenë se liberalizmi demokratik - që në kuptimin amerikan është shartimi mes doktrinës klasike dhe demokracisë - nuk kishte më kundërshtarë. Tridhjetë vjet më vonë ai e pranon: “Gjërat janë më të ndërlikuara”. Me librin e tij të ri, “Liberalizmi dhe kundërshtarët e tij”, kërkon të tregojë se doktrina mbetet ende thelbi i demokracisë dhe prandaj duhet mbrojtur në nivel politik e kulturor.
Ju thoni se liberalizmi klasik është shtrembëruar goxha në dekadat e fundit.
Nga e djathta, mbështetësit e ekonomisë neoliberale e kanë shndërruar tregun e lirë në dogmë, duke e shtrembëruar ekonominë aq sa të bëhet e paqëndrueshme teksa individualizmi është kthyer në kundërshtar të të gjithë rregullave që kufizojnë vetveten, edhe kur imponohen për të mirën e përbashkët. Nga e majta, të bindur se liberalizmi është një sistem elitar që shtyp grupe të caktuara bazuar në përkatësinë etnike, gjininë, orientimit seksual, ka arritur në pretendime identitare që nevojën për respekt brenda korrektësisë politike po e transformojnë në mungesë tolerance.
Si mund të çlirohemi nga ekstremet, pa cënuar të drejtat e individit apo të grupeve që vuajnë prej padrejtësive?
Për të garantuar drejtësi dhe demokraci kemi nevojë për vigjilencë, debat, për një qasje që rigjallëron vazhdimisht vlerat duke korrigjuar shthurjet. Vetëm politika e mirë e mund ekstremizmin. Shoqëria është tejet heterogjene për të pretenduar se ajo funksionon duke mbështetur vetëm interesat e disa individëve apo disa grupeve. Për të mbijetuar ajo duhet të jetë e hapur dhe të mirëpresë diversitetin që ekziston brenda saj.
E keni thënë ju vetë: “Liberalizmi sot është në rrezik”.
Parimet bazë, pra toleranca ndaj ndryshimeve, respekti i të drejtave të individit, shteti i së drejtës, janë në kërcënim. E konfirmon një raport i Freedom House, sipas të cilit nga fundi i viteve ’70 deri në vitin 2008 numri i demokracive në botë kapërceu nga 35 në mbi 100. Sot ky numër është në rënie, në mos në mënyrë nominale, qartësisht sipas cilësisë së sistemit. Mjaft të mendoni për goditjet e fundit që kanë pësuar dy prej demokracive më të mëdha në botë, Shtetet e Bashkuara dhe India. Dhe për arrogancën e dy autokracive si Kina dhe Rusia.
Që në vitin 2019, kur fliste për “Financial Times”, presidenti rus Vladimir Putin sulmoi ashpër liberalizmin duke e përkufizuar si të “vjetëruar”.
Putini është prej kohësh motor i një fushate anti-liberale në rang global, i ndihmuar nga liderë populistë si Viktor Orban në Hungari apo Donald Trump në Amerikë. Bëhet fjalë për figura që edhe pse janë zgjedhur në mënyrë demokratike, minuan vetë sistemin që i solli në pushtet. Sigurisht që me pushtimin e Ukrainës, Putini bëri një saktësim moral: tregoi se cila është alternativa që qëndron përballë liberalizmit dhe se sa brutale është kjo alternativë. Është diçka e tmerrshme, por mbetet një leksion për shumicën prej nesh.
Ju shkruani: “Demokracia nuk mbijeton nëse qytetarët nuk besojnë se janë pjesë e një sistemi politik.” A do të na rikthejë kriza ukrainase ndjesinë e institucioneve si Bashkimi Europian, që deri pak kohë më parë sulmohej fort nga sovranistët?
Periudha e gjatë e paqes dhe prosperitetit pas rënies së Bashkimit Sovjetik nxiti shumë njerëz që ta marrin si të mirëqenë liberalizmin demokratik. Putini pushtoi fqinjin e tij pikërisht sepse ishte i bindur se Perëndimi ishte tepër i copëtuar dhe nuk besonte më në asgjë. Por u gabua. Institucionet europiane janë përgjithësisht të shëndetshme. Natyrisht më shumë se institucionet amerikane.
Kjo është shumë e rëndë për Shtetet e Bashkuara…
Demokracia amerikane ndodhet nën trysni. Liberalët sipas përkufizimit tim, pra politikanët si Joe Biden, besojnë te ligji dhe te një sistem gjyqësor të pavarur, jo partizan. Pikërisht këtë sulmoi Donald Trump që prej zgjedhjes së tij, duke arritur deri në zhbalancimin e Gjykatës së Lartë. Por tani për tani na shpëton “check and balance”, mekanizmi që ruan ekulibrat e pushteteve. Ama duhet thënë që ky mekanizëm ka funksionuar sepse brenda sistemit qëndronin liberal-demokratët e vërtetë. Fatkeqësisht po shtohen ata që dëshirojnë të sillen si Putini.
Nëse “Historia nuk ka mbaruar”, në ç’pikë gjendemi?
“Historia universale” tenton drejt progresit. Por ajo e kombeve nuk është lineare dhe as nuk shkon vetëm në një drejtim. Thënë kjo, ndodhemi në një moment regresi. Megjithatë, nëse shikojmë planin afatgjatë, zbulojmë se sistemet joliberale janë të destinuara të dështojnë.
Ju nuk jeni i vetmi mendimtar që reflektoni mbi liberalizmin klasik. Yascha Mounk sapo ka shkruar një libër, Michael Walzer po e shkruan. Gjithë kjo nevojë për ta zbuluar liberalizmin klasik, a mos është në të vërtetë pranimi i krizës ku ndodhet?
Do të vdesë vetëm nëse njerëzit do të rreshtin së besuari. Dhe njerëzit nuk do të besojnë më nëse nuk njihen me rëndësinë thelbësore që ka liberalizmi. Kjo më ka shtyrë ta shkruaj këtë libër dhe ndoshta e njëjta arsye vlen edhe për të tjerët. Deri tani kemi jetuar në një shoqëri demokratike pa vënë në dyshim themelet dhe alternativat e saj. Njerëzve duhet t'u kujtohet se liberalizmi ekziston falë arsyeve të mira dhe ia vlen të mbrohet. Nuk qëndron i vetëm në këmbë, kërkon angazhimin e të gjithëve.
*Francis Fukuyama është politolog dhe shkrimtar amerikan, i njohur për librin “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.