Me lule e me fytyra të buzëqeshura dhe me pankarta ku shkruhej “NATO”, qytetarë të shumtë të Kosovës pritën trupat e parë paqeruajtës të NATO-s, që hyn në Kosovë sot e 23 vjet më parë.
Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër sulmeve serbe në Kosovë dhe Serbi, që zgjati 78 ditë.
Bombardimet u ndërpren më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rezoluta ishte kompromis i pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit.
Në bazë të rezolutës në Kosovë u vendos administrata e përkohshme e OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë tranzitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë e afër 50,000 forca paqeruajtëse nga 36 vende të botës - prej të cilëve 30,000 ishin të shteteve të NATO-s - që erdhën në Kosovë.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre të mbi 800,000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Nga lufta e viteve 1998-'99 janë vrarë më shumë se 13,000 persona dhe më shumë se 6,000 të pagjetur.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre thuhet se janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.
Njëzetetre vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 3,700 trupa nga 28 shtete të botës. /REL