Zgjedhjet presidenciale në Francë: Macron dhe Le Pen shkojnë në balotazh

10 April 2022, 20:17Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zgjedhjet presidenciale në Francë: Macron dhe Le Pen shkojnë
Zgjedhjet ne France

Emmanuel Macron dhe Marine le Pen do të përballen në balotazh për të fituar postin e presidentit të Francës. Sipas exit poll-ve të turnit të parë: Macron ka marrë 28,1 të votave Macron, 23,3 përqind ka marrë Le Pen. Kandidati i së majtës, Jean-Luc Mélenchon është në kuotën 20,1, ndërsa ekstremisti i djathtë Eric Zemmour ka marrë 7,2% të votave.

Në këtë mënyrë Presidenti Emmanuel Macron dhe liderja e ekstremit të djathtë Marine le Pen janë ata që do të përballen edhe në një raund të dytë në 24 prill pasi janë ata që kanë marrë më shumë vota nga 12 kandidatët në raundin e parë të zgjedhjeve.

Macron mbetet gjithsesi favorit për të fituar në balotazh dhe duket do të thyejë “mallkimin” 20-vjeçar të skenës politike franceze dhe për të arritur të rizgjidhet, diçka që nuk kishte ndodhur as me Nicolas Sarkozy dhe as me François Hollande. Presidenti i fundit që u rizgjodh ishte Jacques Chirac në vitin 2002, pas një referendumi për të reduktuar mandatin e presidentit francez nga shtatë në pesë vjet.

Në një kohë që Macronit nuk i shqitet etiketa se ai është president i të pasurve, sepse në fillim të mandatit të tij i uli tatimet e sipërmarrjeve- Kjo nxiti edhe protestat e atëhershme të jelekëve të verdhë, që shpërthyen pastaj me rritjen e çmimit të karburanteve në dimrin e vitit 2018/2019. Si pasojë e protestave të fuqishme, presidenti duhej të hiqte dorë madje nga reforma e tij më themelore, ajo e pensioneve, mjaft e vjetruar dhe e shtrenjtë për Francën. Patosi i tij modernizimit morri goditjen e parë. Pastaj erdhi pandemia e Coronës, që goditi rëndë si Francën edhe Europën. Pas problemeve të para, Macron arriti të menaxhojë mirë fushatën e vaksinimit dhe me miliardat e shtetit si kompensim u mënjanuan vështirësitë për punonjësit dhe sipërmarrjet.

E dyta në garën presidenciale franceze, është ashtu si herën e parë, Marine Le Pen nga Partia Rassemblement National. ishte Front National i dikurshëm. Le Pen punoi me këmbëngulje për ndryshimin e imazhit të saj në media, për ta bërë të harrohet e shkuara e saj ekstremiste e djathtë dhe të hiqej efekti negativ që kish lënë pas babai i saj, Jean-Marie le Pen, ish-kreu i Front National.

Le Pen tani as nuk do të dalë nga euro dhe as nga BE. Edhe në lidhje me presidentin Putin, që në vitin 2017 i huazoi fonde për fushatën e saj, Marine Le Pen ia doli të shpëtojë me akrobaci. Ajo deklaroi menjëherë, se e ka ndryshuar mendimin për Putinin dhe përkrahësit e saj as nuk i zemërohen për këtë. Nga ana tjetër, në lidhje me politikën e jashtme, ajo shprehet, se do një marrëdhënie normale me Rusinë, ashtu si me Britaninë e Madhe.

Marine Le Pen bëri fushatë zgjedhore këto javë, gjë që Macron nuk arriti ta bëjë sa duhet. Në kohën kur Macron telefononte me Putinin dhe u profilizua në skenën botërore, ajo vazhdonte turet e saj elektorale nëpër Francë për të biseduar me qytetarët. Vetëm 51% e francezëve e shohin Le Pen ndërkohë si kërcënim, tregues ky i suksesit të fushatës së saj për ndryshimin e imazhit. Nëse në vitin 2017, Le Pen thoshte, se "vijat kryesore politike janë ato me presidentin Trump dhe Putin", në këtë fushatë ajo foli për fuqinë blerëse dhe nuk lodhet së shtrënguari duart me qytetarë në tregje dhe i siguron francezët se do të kufizojë rritjen e çmimeve të energjisë.

Le Penit i erdhi në ndihmë pa dashur ish-publicisti dhe ekstremisti i djathtë, Eric Zemmour, i dënuar disa herë për predikime urrejtjeje. Në fillim ai fitoi vëmendje me retorikën e tij pa kufi kundër islamit  dhe migracionit duke zënë kështu skajin ekstremist të djathtë e duke bërë që Le Pen ta paraqiste veten si politikane të moderuar të qendrës.

Ishte "Le Monde" që javën e kaluar i kujtoi francezët, se pas fasadës së moderuar të Le Penit ende fshihet një ekstremiste e djathtë. Dhe Emmanuel Macron paralajmëroi zgjedhësit në takimin e madh elektoral në La Defense Arena në Paris nga rreziku djathtist. "Rreziku i ekstremizmit ka arritur kulme të reja (...) sepse urrejtja dhe të vërtetat alternative janë normalizuar."


Video