Të paktën 20 komandantë të lartë iranianë, përfshirë kreun e Gardës Revolucionare, Komandantin e Forcave Hapësinore Amir Ali Hajizadeh, u vranë në sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit të premten, thanë dy burime rajonale për Reuters.
Sulmi i realizuar gjatë natës goditi me precizion të lartë disa objektiva në Teheran, ndër to një bazë të programeve bërthamore që fshihej nën një bunker, një apartament rezidencial ku mendohet se u vra një prej komandantëve, si dhe një ndërtesë ku ishin mbledhur në takim krerët e lartë të ushtrisë iraniane.
Një zyrtar izraelit i sigurisë i tha televizionit amerikan "Fox News" se Izraeli arriti t'i mashtronte komandantët e lartë të forcave ajrore të Iranit që të mblidheshin për një takim përpara se të niste sulmin.