E BUJSHME / Vdes Yevgeny Prigozhin, avioni i oligarkut rus bie në Rusi

23 August 2023, 19:16Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
E BUJSHME / Vdes Yevgeny Prigozhin, avioni i oligarkut rus bie në Rusi
Yevgeny Prigozhin

Ka vdekur oligarku rus Yevgeny Prigozhin. Mediat raportojnë se avioni me të cilin fluturonte është rrëzuar në Rusi.

Së bashku me Prigozhin në avion ishin edhe 9 pasagjerë të tjerë, identitetet e të cilëve nuk dihen ende.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Autoriteti Rus i Aviacionit Civil, duke thënë se avioni privat model “Embraer Legacy 600”, është rrëzuar rreth orës 18:20 në Tver, pranë Moskës.

“Aeroplani Embraer ishte rrugës nga Sheremetyevo për në Shën Petersburg. Në bord ishin tre pilotë dhe shtatë pasagjerë. Të gjithë vdiqën”, ka raportuar pak më herët agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi.

Shërbimet e emergjencës thanë për agjencinë “TASS” se në vendngjarje janë gjetur katër trupa. Raportohet se avioni mori flakë pasi u përplas në tokë, pasi kishte qenë në fluturim më pak se 30 minuta.


Avioni privat i rrëzuar pranë Moskës ku vdiqën 10 persona, mes tyre dhe Yevgeny Prigozhin

Vetëm pak çaste para se lajmi të bëhej publik, një kanal i njohur rus në “Telegram”, i lidhur me grupin “Wagner”, “Gray-Zone” raportoi se një avion privat ishte qëlluar nga sistemi raketor i mbrojtjes ajrore shumë pranë Moskës.

Prigozhin ishte një prej miqve më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin. Ai formoi grupin e mercenarëve ushtarakë “Wagner” dhe u angazhua së fundmi në luftën në Ukrainë, duke i dhënë një shtysë të madhe pushtimit rus.

Por përplasja me krerët më të lartë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes do të sillte përçarjen e madhe mes Prigozhin dhe Putin. Në qershor, ai tërhoqi trupat nga fronti i luftës në Ukrainë dhe i drejtoi për në Moskë, në atë që u quajt si “rebelim” dhe “grusht shteti”.

Prigozhin kërkonte kokën e ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, por kjo lëvizje do i kushtonte shumë. Ai u përndoq nga Rusia dhe së bashku me trupat “Wagner” u vendos në Bjellorusi. Pak ditë më parë u raportua se Prigozhin kishte shkuar në Afrikë.


Video