
Në të gjithë Ukrainën lindore, sirenat e sulmeve ajrore nga sporadike janë bërë në pothuajse konstante. Sot, edhe zonat që konsideroheshin si të sigurta nuk janë më të tilla.
Kjo është situata në Kharkiv. Pamjet e tmerrshme, të filmuara nga redaktori i gazetës Sun, Jerome Starkey, tregojnë një ekip paramjekësor që sulmohen nga lart. Një burrë me të kuqe mbron një grua të plagosur në dysheme, ndërsa të tjerët ikin në panik pranë tij.
Bombardime ka në të gjithë qytetin, me pesë persona të vrarë. Por, nuk është vetëm Kharkiv ku Rusia thuhet se po merr jetë civilësh. Zolote është një fshat pikërisht në vijën e frontit të Donbas.
Pranë vijës së luftës ka ende fshatra e qyteza të banuara, ku civilët nuk i kanë braktisur shtëpitë e tyre, duke mos e menduar kurrë se lufta do të përshkallëzohej deri në këtë fazë. Tani, që Rusia po grumbullon trupat për një ofensivë madhore në Lindje, situata për ta duket edhe më dramatike.
Forcat e armatosura ukrainase thonë se kanë zmbrapsur një numër sulmesh ruse të dielën, duke shkatërruar dhe marrë dhjetëra tanke, automjete të blinduara dhe drone.
Por, sa më shumë Rusia të jetë e frustruar në terren, aq më shumë pritet që ata të shfryjnë zemërimin e tyre nga ajri. Për njerëzit e Ukrainës lindore, kjo është një perspektivë e tmerrshme.