Blinken pritet ‘ftohtë’ në Ankara, Erdogan nuk e takon

6 November 2023, 17:36Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Blinken pritet ‘ftohtë’ në Ankara, Erdogan nuk e takon
Blinken pritet ‘ftohtë’ në Ankara, Erdogan nuk e takon

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Turqi mëngjesin e sotëm për të diskutuar me zyrtarët turq mbi situatën në Gaza, çështjet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Blinken vizitoi Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Bagdadin të dielën, mes frikës në rritje se lufta mund të përshkallëzohej në një konflikt më të gjerë rajonal.

Kryediplomati amerikan megjithatë mori një pritje të ftohtë në kryeqytetin turk, Ankara.

Ai nuk u prit nga asnjë diplomat turk i nivelit të lartë në aeroport dhe nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë për të që kur mbërriti.

Presidenti Erdogan gjithashtu nuk u takua me Blinken. Zakonisht, kur një Sekretar i Shtetit i SHBA-ve viziton Turqinë, ndodhin takime me presidentin, por situata është ndryshe këtë herë.

Pak përpara vizitës së Blinken, Turqia tërhoqi ambasadorin e saj në Izrael për konsultime. Erdogan ka sulmuar gjithashtu Netanyahun dhe ka kritikuar hapur SHBA-në për bashkëpunim në krimet e kryera nga Izraeli në Gaza.

Sekretari Blinken foli për gazetarët përpara largimit nga Turqia.

“Kemi patur biseda shumë të rëndësishme me vendet e rajonit gjatë këtij udhëtimi, për rolin që secili mund të luajë që konflikti të mos zgjerohet në vende të tjera dhe sigurisht që jemi shumë të përqëndruar tek pengjet e mbajtur nga Hamasi, ndër ta edhe amerikanë, dhe po bëjmë gjithçka të mundur për kthimin e tyre në atdhe”, tha Sekretari Blinken.

Këto përpjekje intensive diplomatike u bënë ndërsa forcat izraelite rrethuan qytetin e Gazës për t’u përballur në vazhdim rrugë më rrugë me militantët e Hamasit që përdorin një rrjet të gjerë tunelesh. Sekretari Blinken shpreson se një pauzë në luftime do të mundësonte hyrjen e ndihmave dhe lirimin e pengjeve.

“Përpjekjet vazhdojnë. Jemi të ndërgjegjshëm për shqetësimin e thellë për pasojat e tmerrshme në Gazë, për palestinezët, burrat, gratë dhe fëmijët në Gazë, fëmijë të pafajshëm – një shqetësim që e shprehim çdo ditë. Jemi angazhuar me izraelitët për hapat që mund të ndërmarrim për të minimizuar dëmet në radhët e civilëve. Po punojmë shumë për futjen e ndihmave humanitare në Gazë”, tha Sekretari Blinken.

Përpara ministrisë së jashtme turke ishin mbledhur protestues me parulla kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ndërsa më herët policia shpërndau grupe studentësh që kishin marshuar duke kërkuar largimin e Sekretarit Blinken.


Video