Armët e Perëndimit ndryshojnë strategjinë ushtarake ruse Ukrainë

20 July 2022, 17:35Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Armët e Perëndimit ndryshojnë strategjinë ushtarake ruse

Operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë nuk do të shtrihen “vetëm” në lindje të vendit, ka thënë ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Në një intervistë me median shtetërore ruse, ai la të kuptohej se strategjia e Moskës kishte ndryshuar pasi Perëndimi furnizoi Ukrainën me armë me rreze më të gjatë veprimi.

Rusia tani do të duhet të shtyjë forcat ukrainase më tej nga vija e frontit për të garantuar sigurinë e saj, shpjegoi ai.

Shtetet e Bashkuara kishin akuzuar më herët Rusinë se po përgatiten që të aneksojnë pjesë të gjera të territorit ukrainas.

Rusia nisi luftën në Ukrainë në shkurt, duke pretenduar në mënyrë të rreme se rusishtfolësit në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës kishin pësuar një gjenocid dhe duhej të çliroheshin.

Pesë muaj më vonë, Rusia ka pushtuar pjesë të lindjes dhe jugut të vendit, por ajo dështoi në qëllimin e saj fillestar për të kapur Kievin dhe që atëherë ka pretenduar se objektivi i saj kryesor ishte çlirimi i Donbasit.

Që nga shkurti, Perëndimi e ka furnizuar Ukrainën me armë gjithnjë e më të fuqishme për t'i përdorur në mbrojtjen e saj kundër forcave ruse.

Lavrov thotë se kjo e ka detyruar Rusinë të zgjerojë më tej objektivat e saj.

"Ne nuk mund të lejojmë që pjesa e Ukrainës e kontrolluar nga [Presidenti ukrainas Volodymyr] Zelensky... të zotërojë armë që do të përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin tonë", tha Lavrov në intervistë për Russia Today.

"Gjeografia është ndryshe tani," tha ai, duke përmendur rajonet jugore Kherson dhe Zaporizhzhia si objektivat e fundit të Rusisë. Forcat e Moskës tashmë kanë pushtuar pjesë të të dy rajoneve.


Video