Anulohet vizita e Lavrovit në Serbi, vendet e rajonit i mbyllin hapësirën ajrore

6 June 2022, 08:03Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Anulohet vizita e Lavrovit në Serbi, vendet e rajonit i mbyllin
Sergei Lavrov

Anulohet vizita e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, në Serbi.

Lajmi është bërë i ditur nga një burim në Ministrinë e Jashtme ruse, i cili i tha të dielën agjencisë së lajmeve Interfax se vizita e Lavrov në Beograd është anuluar, pasi vendet përreth Serbisë mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionin e tij, shkruan “Reuters“.

I njëjti burim ka konfirmuar raportimet se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kishin mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionin, me të cilin do të udhëtonte për në Beograd të hënën shefi i diplomacisë ruse.

“Diplomacia jonë ende nuk e ka shpikur teleportimin”, tha burimi.

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Lavrov, së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, janë në listën e sanksioneve të shteteve të shumta perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës. Shtetet e vetme ku ata mund të udhëtojnë në Evropë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, e cila ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ka mbështetur edhe mbylljen e hapësirës ajrore të Kosovës për avionët rusë, por misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se hapësira ajrore e Kosovës do të mbetet e hapur.

Të premten ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se ministri Lavrov do të qëndrojë në Beograd me 6 dhe 7 qershor. Paralajmërimi pasoi dakordimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me presidentin rus, Vladimir Putin, për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia. Presidenti serb thotë se synon anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, por me vite ka punuar për forcimin e lidhjeve me Rusinë.

Serbia ka refuzuar deri tani t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës.


Video