
Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në fund të shkurtit, më shumë se një duzinë fluturimesh të Air Serbia janë detyruar të kthehen në Beograd ose Moskë për shkak të kërcënimeve me bomba dhe aeroporti i Beogradit është evakuuar të paktën tre herë.
"Shërbimet e huaja (inteligjencës) të dy vendeve po e bëjnë këtë. Njëri është një vend i BE-së dhe Ukraina është tjetri”, deklaroi president serb, Alexander Vuçiç.
Në një deklaratë, Oleg Nikolenko, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, i hodhi poshtë komentet e Vuçiçit si "të pabaza" dhe "të pavërteta".
Ai tha gjithashtu se Ukraina ishte e zhgënjyer me refuzimin e Serbisë për t'iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
“Ne i bëjmë thirrje Beogradit që të ngrihet për të vërtetën dhe të bashkohet plotësisht në mbështetje të Ukrainës dhe në ruajtjen e vlerave mbi të cilat është themeluar Evropa e bashkuar demokratike”, thuhet në deklaratë.
Serbia, një kandidate për anëtarësim në BE, është pothuajse tërësisht e varur nga gazi dhe nafta ruse. Ajo refuzon të vendosë sanksione kundër Kremlinit dhe mban fluturime të rregullta për në Moskë.
“Ne po vazhdojmë këto fluturime fjalë për fjalë jashtë parimit, sepse duam të tregojmë se jemi një vend i lirë dhe ne i marrim vendimet tona”, tha Vuçiç.
Në javët e fundit Beogradi ka votuar tre herë për rezolutat e OKB-së që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës dhe e pezulluan atë nga organi kryesor i OKB-së për të drejtat e njeriut. Moska i quan veprimet e saj në Ukrainë një operacion special ushtarak për denazifikimin e vendit.