"500 serbë do të nisen drejt Rusisë për t’iu bashkuar luftës kundër Ukrainës"

22 August 2023, 21:13Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"500 serbë do të nisen drejt Rusisë për t’iu
Tifozë serbë me simbole ekstremiste dhe pro-ruse

Serbia do të dërgojë në Rusi 500 ushtarë privatë, të cilët do të dislokohen menjëherë për të luftuar krah rusëve në Ukrainë.

Lajmi bëhet me dije nga shërbimet e inteligjencës franceze, duke cituar opozitën ruse. Pritet që deri më 1 shtator, disa qindra rekrutë nga Ballkani të mbërrijnë në një kamp të përkohshëm në rajonin e Moskës.

Përveç rreth 50 luftëtarëve serbë të rekrutuar tashmë, kontingjenti pritet të rritet në 500 dhe të dërgohet shumë shpejt së bashku me ushtarët rusë. Për t'i akomoduar ata, u krijua një "njësi serbe" si pjesë e Divizionit të 106-të të Gardës Ajrore.

Burimet thonë se një rrjet figurash ruse dhe serbe kanë përgatitur operacionin që nga muaji maj me iniciativë ruse dhe me mbështetje të nivelit të lartë në aparatin e sigurisë.

Të rekrutuarit janë kryesisht shtetas serbë dhe serbë etnikë nga vendet fqinje. Midis mesit të korrikut dhe mesit të gushtit, 50 kandidatë u zgjodhën dhe u sollën në Rusi me fluturime komerciale në grupe prej dy ose tre personash nën maskën e një kontrate pune me një kompani ndërtimi.

Personi përgjegjës për planifikimin dhe logjistikën e projektit është një shtetas ballkanik me banim në Rusi.

Rusia është në vështirësi për të mbledhur rekrutë të rinj për të luftuar në Ukrainë, pa shpallur mobilizimin e përgjithshëm. Prej disa javësh autoritetet ruse kanë nisur një fushatë të re përzgjedhjeje duke premtuar shpërblim të menjëhershëm monetar me rreth 300 euro dhe mbylljen e çëshjeve ligjore për të rekrutuarit.


Video