Beteja e parë e Çetës së Pezës

11 Shtator 2022, 18:00Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Çeta e Pezës

Në kuadër të 80-vjetorit të Konferencës së Pezës

Më 16 mars të këtij viti mbushen plot 80 vjet nga mbajtja e Konferencës së Pezës, vendimet e së cilës hodhën themelet e organizimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Organizimi i kësaj konference lidhet pazgjidhshmërisht me Pezën dhe padyshim edhe me emrin e patriotit të madh dhe antifashistit të orëve të para, Myslim Peza, i cili me Çetën e tij e kishte nisur rezistencën ndaj pushtuesve italianë menjëherë pas pushtimit.

Çeta antifashiste e Pezës është një ndër të parat në llojin e saj në gjithë Europën. Fillesat e Çetës së Pezës datojnë në qershor 1940, kur themeluesi i saj Myslim Peza u hodh në ilegalitet. Aksionin e saj të parë kundër ushtrisë italiane ajo e kreu më 13 mars 1941, duke ndërprerë linjat telefonike të Tiranës me Romën dhe qytetet e tjera. Po ashtu, në rrugën Tiranë-Durrës, pranë fshatit Pezë, këtë ditë ata organizuan edhe një pritë ndaj dy autoveturave ku udhëtonin ushtarakë të lartë italianë. Në përgjigje të këtyre akteve, më 16 mars ushtria italiane organizoi me rreth 700 forca një operacion të gjerë spastrimi në fshatin Pezë, ku ishte baza kryesore e Myslim Pezës dhe çetës së tij prej 70 luftëtaresh. Gjatë luftimeve u vranë pesë luftëtarë të çetës. Pala italiane pati 84 karabinierë, milicë e ushtarë të vrarë.

Për këto luftime, konsullata gjermane në Tiranë raportonte në Berlin më 21 mars 1941 si më poshtë: “Banda e vogël e drejtuar nga Myslym dhe Shyqyri Peza, para një jave kanë luftuar me sukses në Pezë, 14 km në perëndim të Tiranës, kundër qindra forcave të karabinierisë, që ishin të armatosur me topa dhe mitralozë. Në luftime duhet të jenë vrarë një kapiten i karabinierisë, dy nënoficerë dhe 6-8 ushtarë. Po ashtu, u çarmatos posta e karabinierisë në këtë rrugë si edhe u plaçkit një makinë me qeveritarë italianë. Popullsia vendase e simpatizon bandën, arsyet e rebelimit të së cilës kanë lidhje me pushtimin italian (Motivi Michael Kolhaas?). (Ka) vetëm rëndësi lokale duke shqetësuar italianët dhe lidh forca të shumta policore ”.

Sulmet dhe rezistenca e armatosur e Çetës së Pezës ndaj ushtrisë italiane patën një jehonë të madhe në popull. Këtë gjë e favorizonte edhe fakti se lufta e kësaj çete zhvillohej vetëm disa kilometra larg kryeqytetit, Tiranës. Si pasojë, në ditët e para të majit 1941 italianët u munduan edhe njëherë të asgjësonin Çetën e Pezës, duke hedhur në veprim forca të zgjedhura të karabinierisë dhe milicisë, por pa rezultat.

Kjo rezistencë e armatosur nuk mund të mos binte në sy edhe të komunistëve shqiptarë. Përfaqësues të grupeve komuniste të Korçës e Shkodrës morën kontakt me Myslim Pezën, duke i propozuar që të dërgonin komunistë në çetë. Myslim Peza pranoi dhe si rrjedhim, më 21 gusht 1941 u bë riorganizimi i çetës, duke u shndërruar në formacion partizan. Komandat qëndroi përsëri Myslim Peza dhe komisar politik u caktua Vasil Shanto, një komunist i njohur i Grupit të Shkodrës.

Kjo qëndresë e organizuar antifashiste nën drejtimin e Myslim Pezës ishte edhe arsyeja kryesore e zgjedhjes së Pezës për organizimin e konferencës. Po ashtu, një arsye jo më pak e rëndësishme ishte edhe popullariteti që Myslim Peza gëzonte në Shqipërinë e Mesme sikurse edhe garancitë që ai ofronte për zhvillimin pa probleme të konferencës.

 Konferenca e Pezës ishte gjithëpërfshirëse dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e komunistëve dhe nacionalistëve. Ajo u thirr thirr nga Partia Komuniste. Qëllimi i saj kryesor ishte organizimi i luftës së përbashkët kundër pushtuesve italianë.

Sa i përket idesë së bashkëpunimit me një pjesë të nacionalistëve që ishin kundërshtarë të pushtuesve italianë, në radhët e PKSH-së ekzistonin dy rryma të ndryshme mendimi. Ndërkohë që njëra rrymë shikonte te ky bashkëpunim një dobësim të pozicionit drejtues të PKSH-së, rryma tjetër synonte të arrinte krijimin e një fronti të përbashkët kombëtar së bashku me nacionalistët. Përfaqësuesit e rrymës së dytë arritën të bindin palën tjetër për mbajtjen e kësaj konference, me organizimin e së cilës u mor komunisti me shumë popullaritet, Mustafa Gjinishi.

Nëse shikojmë përbërjen e pjesëmarrësve në këtë konferencë, bie lehtë në sy që, komunistët përbënin pakicën, përkundrejt një fraksioni të fortë zogist si edhe përfaqësuesve të ndryshëm nacionalistë.

Një tregues vendimtar për organizimin e kësaj konference ishte edhe pavarësia politike dhe personale e çdonjërit pjesëtar të konferencës. Ata ranë shpejt dakord për fillimin e luftës ndaj pushtuesve fashistë. Madje edhe majori zogist Abaz Kupi u shpreh i gatshëm që kthimi i Zogut në Shqipëri pas lufte të përcaktohej nga populli nëpërmjet një referendumi popullor.

Delegatët zgjodhën Këshillin e Përgjithshëm Provizor, i cili përbëhej nga shtatë anëtarë dhe miratuan një program, i cili u quajt “Platforma e Luftës Nacionalçlirimtare”. Në këtë platformë themelore përfshiheshin lufta pa kompromis kundër pushtuesve dhe tradhtarëve, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, organizimi i gjithë shqiptarëve në një front për çlirimin kombëtar pa dallime, ngritja e këshillave nacionalçlirimtarë, si organe të pushtetit popullor dhe popullarizimi i kryengritjes popullore të armatosur.

Beteja e parë e Çetës së Pezës

Video