
Nga sondazhi i realizuar në gjashtë vende anëtare të BE-së, del se vetëm 20 për qind prej tyre thanë se Kosova duhet të jetë në gjendje që të anëtarësohet në BE, ndërkaq 37 për qind shprehen kundër. Për Shqipërinë 24% janë pro dhe 35% kundër.
Një sondazh i realizuar nga Instituti “Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë” (ECFR), që operon me zyra në shtatë kryeqytete evropiane tregon një mbështetje të ulët të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Nga sondazhi i realizuar në gjashtë vende anëtare të BE-së, saktësisht në Gjermani, Danimarkë, Poloni, Rumani, Francë e Austri nga të anketuarit del se vetëm 20 për qind prej tyre thanë se Kosova duhet të jetë në gjendje që të anëtarësohet në BE, ndërkaq 37 për qind shprehen kundër.
Sondazhi është realizuar nga 7-19 nëntor 2023 dhe ka 6,153 të anketuar.
Në përmbledhje të raportit të këtij Instituti, thuhet se sondazhi zbulon se evropianët janë mendje hapur ndaj pranimit të Ukrainës, pavarësisht rreziqeve ekonomike dhe të sigurisë nga një veprim i tillë.
Ekziston gjithashtu mbështetje e konsiderueshme për anëtarësimin e Malit të Zi dhe Moldavisë në BE.
Megjithatë, më tej në përmbledhje të raportit për këtë sondazh thuhet se ka një kundërshtim të gjerë ndaj anëtarësimit të Turqisë në BE dhe “reagime të ftohta” ndaj kandidaturave të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Gjeorgjisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Për Ballkanin Perëndimor, nga ky sondazh mbështetja “më e zbehtë” është për Kosovën, me 20 për qind që thanë se duhet të jetë në gjendje të anëtarësohet dhe 37 për qind që shprehen kundër. Edhe për Shqipërinë mbështetja është e ulët, me vetëm 24% që janë pro dhe 35% kundër.
Pas Kosovës, mbetet vetëm Turqia, ku 51 për qind e të anketuarve janë shprehur se Turqia nuk është në gjendje të anëtarësohet në BE, ndërkaq 19 për qind janë shprehur pro anëtarësimit.
Vendet më kundër Shqipërisë janë Austria dhe Gjermania
Qytetarët e shteteve të Europës Perëndimore janë skeptikë dhe janë shprehur përgjithësisht kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Më pozitive janë vendet e Europës Lindore.
Shteti me normën më të lartë të mospranimit është Austria, ku 49% e austriakëve janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ata ndiqen nga gjermanët, që e kanë normën e mospranimit në 47%. Edhe 41% e francezëve janë kundërt.
Përqindja e refuzimit është shumë më e ulët për vendet e Lindjes. Vetëm 16% e rumunëve dhe 18% e polakëve shprehen kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE.