Si pritet të ndryshojë skema e pensioneve. Eksperti Hasa: Koha e duhur për miratimin e minimumit jetik

14 December 2023, 11:32Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Si pritet të ndryshojë skema e pensioneve. Eksperti Hasa: Koha e duhur

Pas gati 9 vite nga reforma e ndërmarrë, Qeveria po risheh mundësinë e ndryshimit të skemës së pensioneve. Eksperti i Sigurimeve Shoqërore Naim Hasa parashtron opsionet e mundshme.

Sipas tij reforma e 2014-s e përmbushi misionin e saj dhe tani ka ardhur koha që të vendoset sistemi vetëkapitalizues i detyruar, ç’ka do të kërkojë një ndarje të kontributit në dy pjesë, një kontribut shoqëror që do duhet të përballojë sistemin aktual të pensioneve dhe nje pjesë kontribut individual, që do derdhë në llogaritë e veta të fondit të pensioneve.

Por nevoja për të ndërhyrë në ligj ka të bëjë jo vetëm me faktin që skema vijon të jetë deficitare, aktualisht niveli i deficitit është 2.24% e prodhimit të brendshëm bruto, por edhe me faktin që masa e përfitimit apo niveli i të ardhurave të një pensionisti vijon të jetë i ulët.

Në intervistën dhënë për emisionin “Box to Box” Hasa tha se deficiti në skemë është pasojë e drejtëpërdrejtë, veç papunësisë, informalitetit apo edhe mosdeklarimit real të pagave, edhe e skemës së kontributeve për të vetëpunësuarit. Aktualisht fermerët paguajnë shumë herë më pak në raport me të vetëpunësuarit në qytet por masa e përfitimit apo e pensionit është e njejtë.

Veç kësaj problem është edhe pjesëmarrja e ulët, çka do të thotë se vetëm 10 për qind e fermerëve derdhin sot kontribute. Nisur nga masa e ulët e pensionit për ata të cilët janë aktualisht në skemë por edhe ata të cilët dalin rishtazi, eksperti i sigurimeve shoqërore thotë se ky është momenti i duhur për miratimin e minimumit jetik, që do tju jap mundësi të moshuarve që të kenë pensione dinjitoze.


Video