“Shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë ndjerë një nga arritjet më të prekshme të negociatave me BE!“
Kështu e cilësoi kryetarja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, heqjen e tarifave të Roaming për vendet e rajonit në një prononcim për Top News.
Sipas ish-ministres së Integrimit, kjo nismë është ndërmarrë dhe çuar përpara në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili udhëhiqet nga Gjermania.
Duke folur për Top News, Bregu u shpreh se marrëveshja e nënshkruar të martën në Tiranë ishte vazhdimësi e negociatave dhe samitit të mbajtur në Berlin një muaj më parë, duke lënë kështu në hije nismën e Ballkanit të Hapur.
“Kjo marrëveshje mban firmat e ministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit dhe jo vetëm të atyre që janë pjesë e Open Balkan, duke sinjalizuar kështu se ai që ka mbështetjen e BE është procesi i Berlinit dhe jo Ballkani i Hapur”, theksoi Bregu.
Majlinda Bregu deklaron për Top News se pas Roaming, në listën e BE janë një sërë nismash të tjera të fokusuara kryesisht në ndërtimin e një tregu të përbashkët rajonal.
Ajo shprehet se BE ka rritur negociatat dhe pwrpjekjet për ndërtimin e urave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e përgatitur rajonin hap pas hapi për integrimin e plotë në Unionin Europian.