Raporti i BSH, gjysma e familjeve me kredi në vështirësi për t’i paguar

29 April 2023, 19:23Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Raporti i BSH, gjysma e familjeve me kredi në vështirësi për
Banka

Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare me kredi nëpër banka raportuan vështirësi në shlyerjen e tyre në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë për stabilitetin financiar të gjysmës së dytë të 2022-shit, 53 për qind e familjeve me një hua në banka, qoftë konsumatore, qoftë hipotekore raportuan rënie të aftësisë së tyre paguese.

Raporti i Bankës bie në kundërshti me të dhënat e vetë këtij institucioni, sipas të cilave deri në fund të vitit të kaluar kreditë e këqija vijuan të ulen, ndonëse me ritme më të ngadalta se pjesa tjetër e vitit.

Megjithatë, Banka nënkupton me gjuhë të kujdesshme financiare se në gjysmën e parë të këtij viti mund të ketë përmbysje të situatës. Sipas Bankës, kriza e çmimeve ka goditur aftësinë paguese të familjeve.

Gjysmën e dytë të vitit të kaluar rritja e çmimeve kulmoi me nivelin zyrtar të inflacionit që arriti në 8 për qind. Aktualisht, sipas INSTAT inflacioni ka rënë në 5 për qind, ndërsa ndërhyrja e bankës përmes rritjes së normave të interesit nga 0.5 në 3 për qind brenda një viti kanë shtrenjtuar si kredinë e re, ashtu edhe kredinë ekzistuese për familjarët e bizneset.

Aktualisht, inflacioni sipas të dhënave zyrtare është pak më shumë se 5 për qind, megjithatë ai është mbi objektivin e vendosur nga Banka e Shqipërisë, prej 3 për qind. Banka dhe institucionet ndërkombëtare parashikojnë që inflacioni të kthehet në këtë kufi në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm./VoxNews


Video