
Niveli i ndihmës ekonomike nuk duhet të jetë më i ulët se 16 000 lekë në muaj. Kjo sipas draft Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2024-2030. Sipas dokumentit të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, aktualisht kjo pagesë është e ulët në raport me kufirin e të ardhurave në rrezik varfërie apo me pagën minimale, ndërkohë që ndonëse legjislacioni nuk përcakton minimumin e nevojave që duhen plotësuar nëpërmjet ndihmës ekonomike, ekziston kufiri i varfërisë që përfaqëson minimumin e të ardhurave që një individ duhet të disponojë për të mos u konsideruar në rrezik varfërie.
Ky nivel të ardhurash ka rezultuar 191.791 lekë/vit në vitin 2021 apo 16 mijë lekë në muaj dhe sipas draft strategjisë është orientues në vlerësimin se nivelit të ndihmës ekonomike. Por, teksa merr në konsideratë vlerat e vitit 2022, draft strategjia vlerëson se pagesa e ndihmës ekonomike rezulton ende e ulët në raport me kufirin e të ardhurave në rrezik varfërie apo me pagën minimale.
Aktualisht, ajo ndryshon në varësi të anëtarëve të familjes, por në asnjë rast ajo nuk mund të jetë më e lartë se 150% e pensionit social, që për vitin 2023 është 8.588 lekë/muaj. Kjo do të thotë se, masa maksimale që mund të përfitojë një familje e varfër është 12.882 lekë/muaj.
Ndërkaq, draft strategjia parashikon ndërmarrjen e politikave që kanë si qëllim zbutjen e varfërisë për çdo individ në nevojë nëpërmjet skemave financiare të përshtatshme, të përgjegjshme gjinore, transparente për fuqizim dhe integrim, të afta për përballimin e rreziqeve e krizave.
Për të arritur këtë qëllim parashikohet ndërmarrja e disa masave prioritare që lidhen me përmirësimin e performancës dhe transparencës së skemës, përmirësimin e riintegrimit social-ekonomik të individëve, si dhe me rritjen e aftësisë së skemës dhe përfitimeve financiare për t’iu përgjigjur në kohë vulnerabiliteteve të situatave të krizave dhe emergjencave. Gjithsesi, ndryshe nga çdo strategji dokumenti i nxjerrë për konsultim publik nuk shoqërohet me buxhetin që nevojitet për zbatimin e këtyre masave.
Sa ndihmë ekonomike përfitojnë aktualisht familjet në nevojë?
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në gjysmën e parë të vitit 2023 rreth 64 mijë familje u trajtuan me ndihmë ekonomike nëpërmjet një fondi prej 1.5 miliardë lekësh. Pagesa mesatare mujore për familje ishte 5.866 lekë në muaj ose rreth 61 dollarë.
Kjo shumë është 3.2 herë me ë ulët se kufiri i varfërisë relative 6.7 dollarë në ditë për persona që përdor Banka Botërore për matjen e fenomenit në vendin tonë.
Përveçse ndihma ekonomike këtë vit është shumë më e ulët se kufijtë e varfërisë, masa e mesatare e përfitimit ishte edhe më e ulët se e vitit të kaluar.
Krahasimi i të dhënave zyrtare tregon se, pagesa nga ndihma ekonomike për familje ka rënë me 18 % në krahasim me vitin 2022. Gjatë vitit të kaluar u shpërndanë 5,3 miliardë lekë për rreth 62 mijë familje, me një përfitim mujor mesatar 7.1 mijë lekë.