Çmimet rrisin fitimet e bizneseve/ Tatim-fitimi, 23 për qind më shumë në shkurt

17 April 2023, 18:12Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çmimet rrisin fitimet e bizneseve/ Tatim-fitimi, 23 për qind më
Foto ilustruese

Rritja e çmimeve ka rritur arkëtimet e bizneseve. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se për dy muajt e parë të këtij viti, bizneset paguan gati 8.3 milionë euro më shumë tatim mbi fitimin në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave, në dy muajt e parë të vitit të kaluar, të ardhurat nga tatim fitimi ishin gati 35 milionë euro, ndërsa në dy muajt e parë të këtij viti, këto të ardhura janë 43.3 milionë euro, ose 8.3 mln euro më shumë.

Arsyeja kryesore e rritjes së fitimit të bizneseve lidhet me rritjen e çmimeve. Gjatë vitit të kaluar, niveli mesatar i inflacionit arriti në 6.5 për qind, ndërsa kulmoi në muajt shtator e tetor mbi 8 për qind.

Rritje të të ardhurave ka edhe nga tatimi mbi të ardhurat personale, që ka shkuar në gati 80 milionë euro, nga 62 milionë euro të raportuara vitin e kaluar, nëse shuma konvertohet me kursin e sotëm të këmbimit valutor, raporton Top News.


Video