Miliona euro për bosët e naftës/ Në bursë bie 56 dollarë për fuçi, por “Bordi i Çetit” harron të mblidhet

29 Nëntor 2022, 10:03Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Biznesmeni, Shefqet Kastrati

Nafta ka shënuar në tregjet botërore çmimin më të ulët në 11 muaj, duke arritur në horizontin e 81 dollarëve për fuçi dhe 870 dollarëve për ton të naftës për makina.

Prej më shumë se dy javësh tashmë, çmimi i saj qëndron nën kufirin e 1000 dollarëve për ton.

Kjo rënie drastike vjen pas rënies së kërkesës nga Kina, importuesi më i madh në botë, për shkak të trazirave kundër masave të Covid dhe vendosjes së një çmimi tavan nga Europa për naftën ruse.

Maqedonia e Veriut e cila vazhdimisht po tregon me Komisionin e saj Rregullator se është një hap përpara Bordit shqiptar mori vendimin me uljen e naftës me 3 lekë mesnatën e së dielës, ndërsa në Shqipëri qytetarët vijojnë ta paguajnë më shtrenjtë.

Nga vendimi i fundit i Bordit shqiptar fuçia e naftës ka rënë me 56 dollarë, ndërsa edhe dollari, e cila është pjesë përbërëse e formulës është dobësuar nga vendimi i fundit në 25 Nëntor me  0,72 pikë, gjë e cila automatikisht duhet ta bënte naftën në Shqipëri deri në 5 lekë më të lirë, shkruan Tch.

Por bordi i mostransparancës së çmimit të naftës ende nuk është mbledhur për të marrë vendim e për të ulur çmimin e naftës i cili aktualisht është në 211 lekë për litër. Pushimet anëtarëve të bordit të naftës për festat e Nëntorit do t’i kushtojnë shqiptarëve minimalisht 5 lekë për çdo litër naftë që do blejnë nga sot. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona lekë të cilat pa të drejtë ikin nga xhepat e konsumatorëve të thjeshtë tek arka e madhe e kompanive të naftës por edhe të qeverisë.

Video