Janë dhjetë projekte të mëdha që do të financohen nga Buxheti i shtetit apo nga burime financiare të paspecifikuara. Vlera totale e tyre është rreth 17 përqind e PBB-së. Në pjesën më të madhe të tyre sipas të dhënave të përpunuara nga Open Data nuk ka specifikime të financuesit. Ajo çfarë mbetet e hapur është se financimi kryesor do të vijë nga taksat tona të cilat shkojnë në buxhet.

Projekti me vlerë më të lartë financimi nga Buxheti i Shtetit 2024 është Kapacitete të Ofruara në Modernizimin e Forcave të Luftimit. Projekti me vlerë 10.16 miliardë lekë për 2024, parashikohet që të mbyllet në vitin 2026. Financimi është plotësisht i huaj i ndarë 4 miliardë lekë grant dhe pjesa tjetër 6.16 kredi. Nuk është specifikuar financuesi.
Ndërtimi i portit të Ri Porto-Romano Durrës me Prokurues Autoritetin Portual Durrës do të jetë projekti i dytë me vlerën më të lartë për vitin 2024, përkatësisht 8.6 miliardë lekë, me afat përfundimi vitin 2026 dhe do të realizohet me financim të jashtëm, përkatësisht me kredi. Nuk është bërë njoftim mbi formën apo burimi e kreditimit, financimit. Çështje të paaftësisë për përthithje të financimeve dhe instrumenteve të ndihmës nga organizma Europian, për projekte që lidhen me korridore të rëndësishme, bëhen më të theksuara në kontekstin e kësaj vepre. Ky port parashikohet me një total shpenzimesh prej 43 miliardë lekësh dhe do të zgjasë edhe përtej planit afatmesëm 2024 – 2026. Vepra është pjesë e Korridorit 8. Po pjesë e këtij Korridorit në Buxhetin e Shtetit 2024 si prioritet buxhetor, është parashikuar edhe aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë, i ndarë në 6 projekte të ndryshme në listën e investimeve publike për 2024. Vlera e parashikuar për 2024 është 604 milionë lekë, vlera totale e të 6 mini-projekteve është 17.53 miliardë lekë përgjatë gjithë kohështrirjes. 1.12 miliard lekë janë parashikuar të investohen në këto projekte në vitin 2025, dhe 2.04 miliardë lekë për 2026. Financimi është i brendshëm, me para nga Buxheti i Shtetit. Edhe këtu mungon aftësia për të vënë në lëvizje mekanizma të asistencës së huaj në Investime.
Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë për 2024 ka përkatësisht 5.19 miliardë lekë. Afati i përfundimit është shtyrë me një vit nga 2024 në 2025. Ky projekt ka startuar në 2022.
Në vendin e katërt renditen përsëri investime në mbrojtje, përkatësisht Armatim i Lehtë Municion dhe Pajisje, vlerë për 2024, rreth 4.76 miliardë lekë. Autoritet Prokurues është institucioni i forcave tokësore dhe vlera totale e investimit ndër vite 33.47 miliardë lekë.
Kontrata e Koncesionit PPP për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit, plan 3.5 miliardë lekë është investimi i pestë në renditje sipas me vlerave për 2024, plotësisht financim i brendshëm.
Projekti për mbështetje në sektorin energjetik (Aparati i MIE (OSHE dhe OST), ka peshën 2.35 miliardë lekë në vitin buxhetor 2024 dhe në total 20.54 miliardë lekë.
Buxheti i Shtetit do të financojë me 2.29 miliardë lekë projektin për rritjen e Kapacitetit të Avionëve pa pilotë të armatosur (Dron /UAV) së bashku me sistemet e komandim kontrollit. Vlera totale e projektit është 7.7 miliardë lekë.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të rakordojë 2.05 miliardë lekë për projekte të reja investimi 2024.
Projektet e Programit IPA me financim të huaj prokuruar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile planifikohen 2.01 miliardë lekë në vitin 2024.
Renditet i dhjeti me vlerë më të lartë investimi për vitin 2024, projekti Ndërtim segmenti rrugor Qukës – Qafë Plloçë, financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim, me vlerë 1.79 miliard lekë të parashikuar për vitin 2024, kurse në total arrin në 26 miliardë lekë. Afati i përfundimit pritet të jetë viti 2026.

Qeveria Shqiptare ka propozuar shpenzime për Investime Publike të vitit 2024 për Projekte me total shpenzime 120.458 miliard lekë (njëqind e njëzet miliard lekë përafërsisht 1.16 miliardë Euro). Janë 1 101 projekte te listuara nga të cilat 964 me Buxhet për 2024. Vlera e investimeve shtetërore 2024 përbën 4.95% të Produktit të Brendshëm Bruto, PBB vjetor ose 16.37% të totalit të shpenzimeve buxhetore të parashikuara.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.